Komplikohet rikthimi i Xhadon Sanço-s te Borusia Dortmundi
Rikthimi i mundshëm i Xhadon Sanços në Borusia Dortmund mbetet ende në “pritje”. Marrëveshja për huazimin e lojtarit nga Man. Junajtedit dukej si një punë e përfunduar, por sipas lajmeve të fundit, gjërat nuk janë aq të lehta. Në fakt, ka një çështje të rëndësishme për t’u zgjidhur mes dy klubeve, çka kërkon edhe më shumë kohë.
Sipas asaj që shkruhet, “Djajtë e Kuq” duan një shumë parash që gjermanët nuk mund ta paguajnë , të paktëm aktualisht. Sipas asaj që raportohet nga “Sky Sports Germany”, Man. Junajted propozon huazim me detyrim blerje në 40-45 milionë euro, një shifër që konsiderohet e lartë nga Dortmundi.
Për momentin nuk ka asnjë dritë jeshile nga ana e anglezëve për të negociuar për një shifër më të ulët, kështu që tani për tani bisedimet duket se nuk sjellin optimizëm. Anësori Sanço mbërriti në Angli për 85 milionë euro dhe klubi nga Mançesteri dëshiron të rikuperojë të paktën një pjesë të këtij investimi të rëndësishëm.
Megjithatë, rënia e lojtarit është e dukshme. Shifrat e tij këtë vit në Premier Ligë janë padyshim negative, 76 minuta të luajtura, të shpërndara në tre ndeshje, pa shënuar dot asnjë gol.