Komuna e Alban Hysenit shpërblen me tender afro 200 mijë euro ‘dostat’, njëri i akuzuar për mashtrim
Komuna Gjilanit e udhëhequr nga Alban Hyseni i VV’së, ka shpërblyer me tender afro 200 mijë euro, dy biznesmenë, njëri i akuzuar për mashtrim, dhe tjetri i afërt me partinë në pushtet. Fatlum Pirevën të “El-Bau” dhe Eljesah Podvoricën të “Eing Com”. Insajderi ju sjell detajet.
Gazeta Insajderi
Komuna e Gjilanit, me datën 6 nëntor ka nënshkruar kontratë për tenderin e “Ndërtimit të rrugëve në fshatin Livoç i Epërm”.
Vlera e përgjithshme e kësaj kontrate është 193. 912 euro.
Komuna e udhëhequr nga Alban Hyseni, me këtë tender i ka shpërblyer kompanitë e ‘dostave’: EL-BAu SH.P.K, dhe EING COM SH.P.K.
El Bau në pronësi ka afaristin Fatlum Pireva dhe Eing Com me pronar Elisjah Podvoricën, të afërt me pushtetin e VV’së.
Për këtë tender kishin aplikuar edhe tre operatorë ekonomik tjerë. Dy prej tyre madje kishin qenë edhe me çmim më të ulët.
Tre OE, tjerë janë refuzuar për arsyen se kanë vlerësuar të pa përgjegjshme.
“Kjo ofertë nuk është futur në kalkulim si TEMF pasi që është vlerësuar si ofertë e papërgjegjshme”, thuhet në vendim.
Kush janë pronarët e kompanive El Bau dhe Eing Com?
Kompania ‘El Bau’ ka pronar afaristin Fatlum Pireva. Kompani kjo që kishte qenë pjesë e konsorciumit në tenderin për stadiumin e Gjilanit, cili përfundimisht dështoi, pasi kishte tendenca se Alban Hyseni, i përzgjodhi dostat e tij për t’iu dhënë mbi 15 milionë euro.
Jo vetëm, Pireva ishte pjesë e konsorciumit të lotit dy për rrugën nacionale Prishtinë-Podujevë i cili ishte ngarkuar nga Prokuroria Themelore në Gjilan për veprën penale mashtrim.
Fatlum Pireva së bashku me dy persona tjerë dyshohej si i ka shkaktuar dëm Komunës së Gjilanit në vlerë prej afro 3 mijë euro.
Avokati i biznesmenit, Pireva më 31 maj të 2022-ës i kishte propozuar gjykatës që procedura penale ndaj tij të pushojë për shkak të parashkrimit. Propozim ky i cili ishte refuzuar nga prokurori e gjyqtari i rastit.
Sipas gjykatës, të pandehurit dhe Fatlum Pireva akuzohen se si persona fizik dhe përfaqësues të autorizuar të personit juridik “El-Bau”, me qëllim përfitimi nga fondet publike i kanë paraqitur fakte të rreme komunës së Gjilanit, ashtu që të njëjtit nuk kanë realizuar rrugën sipas kontratës duke i shkaktuar dëm komunës së Gjilanit në vlerën prej 2 mijë e 662 euro e 26 centë.
Pireva kishte fituar një tender të dyshimtë në Komunën e Mitrovicës. Ndonëse Komuna e Mitrovicës kishte paraparë që ky projekt të kushtojë 600 mijë euro, fituesit e tenderit Bujar Shabani e Fatlum Pireva të akuzuar për mashtrim kanë ofruar çmimin prej 892.453 euro, që i bie afro 50% më shtrenjtë se vlera fillestare e ofruar.
Me 31 maj, Komuna e Gjilanit e cila udhëhiqet nga Alban Hyseni i Lëvizjes Vetëvendosje i dha tenderin për renovimin e stadiumit të Gjilanit grupit të operatorëve ekonomik “Demiri Gartenbau”, “Avag Group SH.P.K”, “El-Bau Sh.P.K”, “Bujar Shabani B.I” “Kosova Asfalt” dhe “Teuta-M”.
Pronarët e këtyre kompanive kishin ndërlidhje me njëri-tjetrin.
Drejtues dhe sponsorët e klubit futbollistik Gjilani ishin përfitues të këtij tenderi, Pronari i kompanisë El-Bau, Fatlum Pireva dhe pronari i kompanisë “Demiri GartenBau GmbH” Qëndrim Demiri janë aksionarë në klubin e futbollit “KF Gjilani”.
Kompania tjetër e shpërblyer është EING COM, nën pronësinë e Eljesah Podvoricës, person i afërt me pushtetin e VV’së
Gazeta Insajderi ka raportuar disa herë, lidhur me tenderët që kompania e Podvoricës është zgjedhur fituese nga komunat e udhëhequra nga VV’ja.
Eljesah Podvorica, jo rrallë herë është parë në shoqërinë e njerëzve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në vitin 2021, deputeti i LVV-së, Sali Zyba dhe pronari, Eljesah Podvorica ishin së bashku në një vizitë në Therandë.
Dyshja shihen në një fotografi në shoqëri edhe të disa personave për rreth.
Podvorica, gjithashtu në vitin 2019 ishte parë në shoqërinë e deputetit të VV-së, Nijazi Isakut.
“Në kafe me tre luftëtarët e lirisë. UÇK-së”, shkruhej në postim.
Insajderi.org