Komuna e Çairit me masa mbrojtëse ndaj temperaturave të larta
Pasi temperaturat gjatë kësaj peridhe të verës janë ngritur mbi 30 gradë, e me çka pritet në muajin në vijim të shënojnë kulmin, Komuna e Çairit ka nisur një platformë me moton “Çairi në ritmin e shëndetit” me masa për mbrojtje nga temperaturat e larta të verës. Në kuadër të masave parandaluese përballë temperaturave të larta, kryetari i kësaj Komune, Izet Mexhiti, theksoi se janë ndërmarr aktivitete për mbrojtjen dhe ruajtjen e shëndetit të qytetarëve. Ai tha se ekipet profesionale të komunës kanë kryer kontrollin dhe sanimin e të gjitha çezmave publike në territorin e Çairit, ndërsa shtesë do të vendosen edhe pika me ujë në lokacionet më të frekuentuara.
IZET MEXHITI, KRYETAR I ÇAIRIT
“Gjithashtu, do të organizojmë pika informuese, ku qytetarët do të mund të marrin këshilla dhe informacione bazë shëndetësore. Por, kjo nuk është vetëm një aksion i përkohshëm, sot po e shpallë edhe platformën e re ‘Çairi në ritmin e shëndetit”, një iniciativë afatgjate, me të cilën synojmë të ndërtojmë zakone më të shëndetshme, vetëdije më të lartë për shëndetin dhe cilësi më të mirë të jetës për të gjithë qytetarët”.
Në hapësirat publike, Mexhiti njoftoi se do të vendosen pika mjekësore dhe vullnetarë të cilët do të japin këshilla për parandalim, ndërsa qytetarëve do t’u ofrohen edhe kontrolle bazë mjekësore. Kësaj nisme me këshilla dhe aktivitete edukative do t’i bashkohen edhe shtëpitë e shëndetit në Çair, Qendra për Shëndet Publik dhe institucione të tjera.
Samir Mustafa /SHENJA/