
Komuna e Sarajit reagon me indinjatë ndaj akuzave të VLEN: “Shpifje të ulëta për të zhvendosur vëmendjen nga skandalet e tyre”
Komuna e Sarajit ka reaguar ashpër ndaj akuzave të përfaqësuesve të qeverisë VLEN, duke i cilësuar ato si shpifje, manipulime dhe përpjekje të qëllimshme për të mashtruar opinionin publik.
Në reagimin zyrtar thuhet se akuzat ndaj një ndërtese në territorin e komunës janë të pabaza dhe përfaqësojnë një tentativë të ulët për të zhvendosur vëmendjen nga keqpërdorimet zyrtare që, sipas tyre, ndodhin në komunat e drejtuara nga vetë VLEN-i.
“Objekti për të cilin flitet është ndërtuar në përputhje të plotë me të gjitha procedurat ligjore, në mënyrë transparente dhe me respektim të detyrimeve tatimore e ligjore ndaj institucioneve të shtetit,” thuhet në reagim.
Komuna shton se është “e turpshme dhe e papranueshme” që përfaqësues të një qeverie përpiqen të diskreditojnë edhe investitorët që, sipas tyre, kontribuojnë me ndershmëri në zhvillimin ekonomik dhe urban të vendit.
Për të sqaruar opinionin publik, komuna jep disa fakte konkrete:
Objekti ndodhet në një zonë me plan urbanistik të miratuar që prej 28 shtatorit 2010.
Plani urbanistik ka kaluar të gjitha fazat dhe është miratuar nga institucionet përkatëse, përfshirë Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve.
Ky plan është në përputhje me Planin Gjeneral Urbanistik të Qytetit të Shkupit 2012–2022.
E gjithë procedura e ndërtimit është zhvilluar sipas Ligjit për Ndërtim, duke respektuar tërësisht rregulloren ligjore në fuqi.
Gjithashtu, komuna bën me dije se objektet në territorin e saj janë inspektuar disa herë nga institucionet shtetërore, dhe nuk është konstatuar asnjë parregullsi, përfshirë edhe objektin në fjalë.
“Në kohën kur disa zgjedhin të shpifin, ne vazhdojmë me respektimin e ligjit, transparencë dhe përkushtim për zhvillimin e komunës sonë,” përmbyllet reagimi.