
Komuniteti Shqiptar në Australi: Mosreagimi i zyrtarëve maqedonas është bashkëfajësi
Lajmi i zbardhur nga Flaka ka shkaktuar reagime të shumta. Komuniteti Shqiptar në Australi ka reaguar me shqetësim të thellë ndaj thirrjeve raciste dhe anti-shqiptare që u dëgjuan gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në Kumanovë.
Në një deklaratë zyrtare, komuniteti dënon ashpër gjuhën e urrejtjes të shfaqur në një ngjarje publike sportive, në prani të figurave të larta shtetërore si Kryeministri Hristijan Mickoski, Zëvendëskryeministri Stojançe Stoilkoviq dhe Ministri i Jashtëm Bujar Toshkovski.
“Edhe më shqetësuese është heshtja e këtyre udhëheqësve përballë një situate të tillë alarmante. Mosreagimi i tyre i bën bashkëfajtorë në përhapjen e një klime frike dhe diskriminimi ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”, thuhet në deklaratë.
Komuniteti i bën thirrje autoriteteve maqedonase që të dënojnë publikisht aktet raciste dhe të ndërmarrin masa konkrete për mbrojtjen e sigurisë dhe dinjitetit të shqiptarëve, që përbëjnë afërsisht 30% të popullsisë së vendit.
Po ashtu, deklarata u drejtohet edhe përfaqësive diplomatike në Shkup, duke kërkuar një reagim të vendosur ndaj kësaj ksenofobie dhe një përgjigje zyrtare nga institucionet maqedonase.
“Këto incidente janë vetëm vazhdimësi e një trajtimi sistematikisht diskriminues ndaj shqiptarëve në këtë shtet, dhe komuniteti ndërkombëtar nuk mund të qëndrojë më indiferent,” përfundon deklarata. Flaka
The post Komuniteti Shqiptar në Australi: Mosreagimi i zyrtarëve maqedonas është bashkëfajësi appeared first on Flaka, në çdo lajm… .