
Konseisao: Ecuria e ndeshjes ndaj Fejnordit, varet nga ajo që ne do të bëjmë
Sot (e mërkurë) do të zhvillohen edhe katër ndeshjet tjera në kuadër të fazës ‘play-off’ në Ligën e Kampionëve. Ndeshja më e fortë pritet të zhvillohet në Roterdam, ku Fejnordi pret skuadrën e Milanit.
“Dua të vazhdojmë me futboll tërheqës dhe të marrin rezultate pozitive. Konsideroj një nder të madh që më kanë besuar klubin me traditë të madhe dhe do të bëj gjithçka që mundem për ta bërë atë sa më të mirë. Përgatitja për të luajtur me Milanin në shtëpi është filluar me përfundimin e obligimeve në kampionatin vendor. Nuk jam trajner që do të ndryshojë gjithçka në momentin e fundit dhe me këtë rast të krijojë paqëndrueshmëri,” tha mes tjerash trajner i Fejnordit, Paskal Boshçart.
“Është një ndeshje e Ligës së Kampionëve dhe historikisht është e vështirë kur luan në Holandë kundër Fejnordit. Kam luajtur atje tre vjet më parë me Porton dhe ishte një mjedis i vështirë. Ecuria e ndeshjes varet nga ajo që bëjmë. Santiago Himenez është një lojtar që e kam ndjekur prej vitesh. Të gjithë ne në futboll evoluojmë ditë pas dite dhe ai është i ri dhe ka një rrugë të gjatë për të bërë, por ai tashmë është një lojtar i nivelit të lartë,” tha mes tjerash trajneri i Milanit, Serhio Konseisao.
Mjaft nxitje priten edhe në përballjet Monako-Benfika dhe Seltik-Bajern Munih. Takimi i vetëm që pritet të fillojë nga ora 18:45 është ai në mes të Klub Brizhit dhe Atalanta-s, ku luan Berat Gjimshiti.
Ditë më parë, Real Madridi mori një fitore të madhe 3-2 ndaj Man. Sitit në “Etihad”, ndërsa fitore të pastërta, me 3-0, regjistruan skuadran e PSZH-së dhe Borusia Dortmundit në transfertë, përball Brestit, respektivisht Sporting Lisbonës. Ndërkohë Juventusi me rezultat 2-1 mundi PSV Aind’hovenin.