
Kontesti pronësor në Istog, biznesmeni Blakaj demanton versionin e ish-policit- Çka tha avokatja që ishte në vendngjarje?

Abedin Muzliaj, ish-polic në dëshminë të cilën e siguroi ekskluzivisht Gazeta Insajderi, ka mohuar se ka kërcënuar me kallashnikov gjykatësen, i cili u arrestua për kanosje si pasojë e një kontesti pronësor në Banjë të Istogut.
Megjithatë, afaristi Ylber Blakaj në një prononcim për Insajderin shkurtimisht ka mohuar këto pretendime ku ka thënë se prona e tij vetëm ka rastisur të jetë në afërsi të asaj për të cilën Muzliaj ka kontest me dy vëllezërit Selimaj.
Prona e Muzliajt është në masë të sigurisë dhe në shqyrtim të trashëgimisë nga ana e Gjykatës Themelore në Pejë – Dega Istog, nga dy vëllezërit Selimaj.
Të njëjtit, kanë ngritur kallëzim penal për uzurpim të pronës ndaj Osman Muzlijaj, i cili në pronën e tyre, pretendojnë se ka vendosur një kioskë.
Avokatja Veenra Gashi Selmanaj, rrëfeu për Teve1 se si ndodhi rasti.
“Dje me datë 30.04.2025 rreth orës 13:45 kemi dalë në vendin e ngjarjes me Gjykatën dhe ekspertin gjeodet si dhe palën e paditur, pastaj papritur, nga “hiçi” ka dalë ky personi, Abedini i cili ka ardhë në drejtimin tim deri sa isha duke e parkuar veturën, duke sharë dhe ofenduar”, tregon ajo.
Më pas, sipas saj ia ka drejtuar armën, duke menduar se ajo është gjyqtarja e rastit.
“Me thënë të drejtën, fillimisht nuk e kam vërejtur se arma është prej vërteti, dhe momentin që e ka reportuar para këmbëve të mia duke më thënë që mos të afrohem dhe mos ta kaloj mexhën, e kuptova rrezikun i cili na ishte kanosur të gjithëve. Fillimisht kishte menduar se jam gjyqtarja e rastit dhe nuk është qetësuar deri sa e ka kuptuar se jam avokatja e palës paditëse”, rrëfen rastin avokatja Gashi –Selmanaj. /Insajderi.org/