
Kontradikta – Vendimet e Gjykatës Kushtetuese, herë si “fitore e VLEN-it”, herë si “komplot i BDI-së”
Kur Gjykata Kushtetuese rrëzon vendime, faji është i BDI-së; kur sjell vendime pozitive, meritat janë të VLEN-it. Ku është konsistenca?
Koalicioni VLEN ka reaguar me entuziazëm ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar pjesën e metodologjisë së regjistrimit të popullsisë, që ndante qytetarët në “rezidentë” dhe “jo-rezidentë”, duke deklaruar se kjo është një “fitore e së drejtës” dhe “fitore e diasporës shqiptare”. Në një reagim publik, VLEN e cilëson regjistrimin e udhëhequr nga qeveria e kaluar BDI-LSDM si një nga veprimet më të dëmshme ndaj shqiptarëve në diasporë dhe si përpjekje politike për ta zvogëluar peshën e tyre.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese konfirmon atë që ne në VLEN e kemi thënë me kohë: regjistrimi i fundit i popullsisë, i udhëhequr nga qeverisja e atëhershme BDI-LSDM, ishte një ndër veprimet më të dëmshme dhe fyese për diasporën shqiptare! Qeverisja e kaluar, përmes Entit të Statistikave dhe në koordinim të plotë me strukturat politike të BDI-së, krijoi kategori “popullsi rezidente” dhe “jorezidente”, duke i trajtuar mërgimtarët tanë si qytetarë të dorës së dytë. Kjo ishte akt i qëllimshëm politik për ta minimizuar peshën reale të shqiptarëve në shtet. Kjo ishte përpjekje për ta zhbërë kontributin dhe peshën politike të diasporës shqiptare, për interesa të ulëta partiake. Në një përpjekje të dëshpëruar për të larë duart nga përgjegjësia, BDI nxjerr një deputet për të mbrojtur padrejtësinë që ia bëri mërgatës shqiptare, me argumente të stërholluara por të zbrazëta. Ne në VLEN e themi qartë: dëmi është bërë, por ne do ta korrigjojmë kudo ku është e mundur! Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është fitore e së drejtës, fitore e diasporës shqiptare dhe dëshmi se shteti nuk mund të sillet me arrogancë ndaj qytetarëve të vet.
VLEN është i përkushtuar që të vendos dinjitetin e mërgatës shqiptare, ta përfshijë plotësisht në jetën politike e institucionale dhe të korrigjojë çdo padrejtësi të trashëguar nga qeverisjet e kaluara.
Por ky qëndrim ngre pyetje të rëndësishme për koherencën dhe qëndrueshmërinë e diskursit të këtij koalicioni. Kur Gjykata Kushtetuese sjell vendime të tjera, të cilat nuk përputhen me interesat politike të VLEN-it, siç ishte rasti me shfuqizimin e “Balanserit” apo interpretimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve, po ky subjekt ka akuzuar haptazi se Gjykata është nën ndikimin e BDI-së. Madje, shpesh është aluduar se “regjia” e vendimeve është bërë në selinë e BDI-së dhe se vendimet janë të motivuara politikisht.
Sot, kur vendimi është në favor të narrativës politike të VLEN-it, e njëjta Gjykatë Kushtetuese konsiderohet nga ky subjekt si mjet i drejtësisë së vonuar, por të merituar.
Kjo qasje kontradiktore ngre pikëpyetje serioze:
A ka VLEN ndikim në punën e Gjykatës Kushtetuese apo jo?
Si mund të pretendohet njëherë se Gjykata është e kapur, e njëherë tjetër se vendimet janë dëshmi e “fitoreve të tyre politike”?
A ka një standard të dyfishtë në trajtimin e institucioneve të pavarura, në varësi të rezultatit që ato prodhojnë?
Edhe më paradoksale është fakti që iniciativa për këtë vendim të fundit ishte dorëzuar nga deputeti Skender Rexhepi-Zejdi, pjesë e Frontit Evropian, dhe jo nga ndonjë përfaqësues i VLEN-it. Por në reagimet e tyre, VLEN e përvetëson rezultatin si sukses të vetin, pa asnjë përmendje për origjinën reale të iniciativës juridike.
Në këtë situatë, qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të kërkojnë transparencë dhe qëndrueshmëri nga përfaqësuesit e tyre. Sepse një politikë që ndërtohet mbi aktrime episodike dhe retorikë të personalizuar të suksesit, rrezikon të shndërrohet në politikë të momentit, e jo të parimeve./Flaka.com.mk/