
Konventa e VLEN në Shkup me pjesëmarrje të vakët – qytetarët zgjodhën kafetë nëpër çarshi
Konventa promovuese e koalicionit VLEN për kandidatët e saj për kryetarë komunash u mbajt sonte në sallën “Boris Trajkovski” në Shkup, por ngjarja nuk arriti të tërheqë masën e pritshme të qytetarëve. Ndërsa ulëset në sallën e madhe mbetën pjesërisht të zbrazëta, atmosfera e vërtetë gjallëroi çarshitë e qyteteve shqiptare – nga Shkupi e Kumanova, në Gostivar, Tetovë, Kërçovë e deri në Strugë.
Qytetarët zgjodhën të shijojnë kafenë nën tingujt karakteristikë të çarshisë, në vend që t’i përgjigjeshin thirrjes për pjesëmarrje në një aktivitet politik që synonte të tregonte forcën dhe unitetin e koalicionit VLEN. Pamjet dhe reagimet në rrjetet sociale reflektojnë një mungesë entuziazmi për këtë ngjarje që, në sytë e shumëkujt, pritej të ishte një demonstrim force para zgjedhjeve lokale.
Mosinteresimi i dukshëm i qytetarëve në këtë konventë ngre pikëpyetje për nivelin e mobilizimit dhe besimit që koalicioni VLEN po gëzon aktualisht në terren./pressonline.al