Kosova ka mësuar 2 kundërshtarët e mundshëm në “play off”-in e Ligës së Kombeve
Kombëtarja e Kosovës e di tashmë përafërsisht se me cilin kundërshtar mund të ndeshet në ‘play-off’-in e Ligës së Kombeve.
Dardanët kanë përfunduar në vendin e dytë të Grupit 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve me 12 pikë apo tri më pak se Rumania e para dhe me ndeshjen mes tyre e cila ka mbetur për t’iu dhënë epilogu përfundimtar nga UEFA. Kështu, Kosova do të luajë një ndeshje të ‘play-off’-it me një nga vendet e treta të grupeve të Ligës B, për të provuar promovimin në një ligë më lartë ose mbetjen në Ligën C.
Irlanda dhe Slovenia janë dy nga kundërshtarët e mundshëm të sigurt, pasi kanë përfunduar në pozitën e tretë në Grupin 2, respektivisht në Grupin 3 të Ligës B. Në anën tjetër, nga Grupi 1, të gjitha ekipet janë në lojë për të përfunduar në pozitën e tretë dhe Kosova mund të luajë me njërën mes Çekisë, Gjeorgjisë, Shqipërisë apo Ukrainës.
Në Grupin 4, gjithashtu pozita e tretë është në lojë, ku Kosova mund të ndeshet me njërën mes Uellsit ose Islandës.