
“Kosova më afër se kurrë pranë NATO-s, falë marrëveshjes me SHBA-në”
Eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj, e cilëson marrëveshjen e nënshkruar mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës si një hap vendimtar në rrugën drejt NATO-s.
“Kosova ka bërë hapa konkretë drejt bashkëpunimit ushtarak me SHBA-në dhe ky zhvillim është i rëndësishëm për rrugën tonë drejt NATO-s. Bashkëpunimi me amerikanët nuk ka munguar as në të kaluarën, por tani kemi një kornizë të re dhe më të thelluar,” thekson Gecaj.
Ai shpjegon se marrëveshja kornizë e mbrojtjes parashikon trajnime dhe ushtrime të përbashkëta, si dhe pjesëmarrje në misione ndërkombëtare.
“Kemi rënë dakord për trajnime të përbashkëta dhe ushtrime, përfshirë edhe misionin në Kuvajt. Po ashtu, kemi një ekip këshillues të NATO-s, të udhëhequr nga një gjeneral gjerman, që mbështet Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në në përmbushjen e objektivave tona,” thotë ai.
Sipas Gecajt, synimi përfundimtar mbetet i pandryshuar.
“Qëllimi ynë është anëtarësimi i plotë në NATO. Prej fillimit kemi ndërtuar kapacitete ushtarake dhe kemi kërkuar mbështetjen e Aleancës. Tani jemi më afër se kurrë,” deklaron eksperti i sigurisë.
Megjithatë, ai pranon se pengesa diplomatike mbeten.
“Katër shtete ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Një diplomaci e mençur dhe e koordinuar mund të na ndihmojë ta kalojmë këtë pengesë dhe të hapim rrugën drejt anëtarësimit,” përfundon Gecaj.