Kosova vendi i dytë më i varfër në Evropë, Gruda: 7 qershori duhet të jetë ndëshkim për qeverinë që s’di të punojë
Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka reaguar pasi që Kosova është radhitur në vendin e dytë për kah varfëria në Evropë, sipas një raporti të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Gruda me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka deklaruar se zgjedhjet e 7 qershorit duhet të jenë ndëshkim për, siç u shpreh ai, qeverinë që nuk di të punojë e të ecën përpara, shkruan Insajderi.
“Të dhënat e fundit nga Fondi Monetar Ndërkombëtar tregojnë se Kosova ka rënë në vendin e dytë më të varfër në Evropë. Edhe më poshtë se Ukraina që është ende në luftë. Sipas po këtyre të dhënave, 30 për qind është papunësia vetëm në mesin e të rinjve. Ndërsa inflacioni më i madhi në Ballkanin Perëndimor, duke shkuar drejt 10 për qindëshit. Kjo është e papërballueshme, po bëhet e patolerueshme dhe do të jetë e pafalshme për një qeveri që vazhdimisht bllokon“, ka deklaruar ai.
“Zgjedhjet e 7 qershorit duhet të jenë ndëshkimi për qeverinë që nuk di të punojë e nuk di të ecën përpara. Bllokuesit duhet të ndëshkohen, do të ndëshkohen“, përmbyll shkrimin Gruda.