
Krasniqi: PDK-ja do ta dërgojë në Kushtetuese vendimin e ZRRE-së për tregun e lirë të energjisë
Memli Krasniqi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka thënë se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese lidhur me vendimin e ZRRE’së për tregun e lirë.
Krasniqi me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka deklaruar se janë përmbushur kushtet ligjore që vendimi i ZRRE’së për treg të lirë të ankimohet në Kushtetuese.
“Në konsultim me Avokatin Faton Fetahu dhe ekipin e juristëve të PDK-së, kemi konstatuar se tashmë janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore që ky vendim i ZRRE-së të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese, gjë që do ta bëjmë gjatë kësaj jave. Ne do të kërkojmë masë të përkohshme, në mënyrë që ky vendim i dëmshëm të mos zbatohet deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes”, ka thënë Krasniqi.
“Ky nuk është vetëm një proces gjyqësor. Është një betejë për të mbrojtur bizneset tona, ekonominë e vendit, punëtorët tanë dhe familjet e tyre nga një abuzim i pashembullt i pushtetit, i cili i ka detyruar qytetarët dhe ndërmarrjet të blejnë energji me çmime 280% më të larta – vetëm për të mbushur xhepat e kompanive të licencuara nga qeveria”, thotë tutje i pari i PDK’së.