
Krasniqi: VLEN forca kryesore shqiptare në Kuvend, epokë e re politike nis në RMV
Shkupi po përjeton një kthesë historike në skenën politike shqiptare! Pas dorëheqjes së deputetit të Aleancës për Shqiptarët, Salim Sulejmani, peizazhi parlamentar ndryshon rrënjësisht, për herë të parë pas dy dekadash, Bashkimi Demokratik për Integrim humb epërsinë numerike në kampin politik shqiptar, ka shkruar në faqen e tij në facebook, gazetari nga Shkupi Mensur Krasniqi.
Sipas Krasniqit, koalicioni qeverisës VLEN tani zyrtarisht bëhet grupi më i madh parlamentar shqiptar me 10 deputetë, duke marrë epitetin e partisë më të fuqishme shqiptare në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Ky zhvillim shënon një fitore të madhe politike dhe morale për VLEN-in dhe për të gjithë ata që kërkuan ndryshim, transparencë dhe përfaqësim të denjë.
“Dorëheqja e Sulejmanit jo vetëm që ka implikime direkte në balancat parlamentare, por edhe simbolizon fundin e një epoke të dominimit politik të BDI-së dhe fillimin e një kapitulli të ri që premton të sjellë freski, llogaridhënie dhe përfaqësim autentik shqiptar” ka shkruar më tej gazetari Mensur Krasniqi.
Sipas tij koalicioni VLEN, tashmë në timonin e reformave dhe drejtimit politik, po konsolidohet si shpresa e re e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, duke dëshmuar se ndryshimi është jo vetëm i mundshëm, por tashmë një realitet i pakthyeshëm.