Kremi i “Gjithçka 1 euro” shitet online për 12 euro – çka shëron ai? (VIDEO)
F.H ka kohë të gjatë që ka një problem në lëkurë.
Në ballë i është shfaqur një gjëndër yndyrore, që në popull njihen si gunga.
21-vjeçari pati frikë të hyjë në operacion për ta hequr.
Kështu, duke parë në internet, ai rastisi në faqen online që quhej “Porosit”.
Në listën e gjatë të produkteve që pretendohej se shëronin probleme të shumta, ishte edhe ai për zhdukjen e gjëndrave yndyrore në lëkurë.
Në postim theksohej se kremi është i pasur me vajra bimore të licencuar dhe vitamina.
Madje, aty shkruhej se zhdukja e gjëndrës bëhet pa efekte anësore.
Kështu, F. H. vendosi ta porosisë.
Për ta bindur edhe më shumë, faqja u kujdes t’i dërgojë edhe biseda të klientëve të tjerë si dëshmi, gjoja për sukseset që kanë pasur pas përdorimit të produktit, derisa efektet i quajtën si të mahnitshme.
21-vjeçari pati shpresë se përmes kremit që e porositi, rezultati do të jetë i mirë e do t’i shpëtojë ndërhyrjes në ballë.
Pas disa ditësh, e mori porosinë, por u zhgënjye.
Kremi që faqja pretendoi se me të mund t’i zhdukte gjëndrat yndyrore, i doli të jetë një produkt që shitej nëpër dyqane, që tashmë kanë marrë dhenë, ato të “Gjithçka 1 eurove”.
Kështu, ai i kërkoi faqes që t’ia kthejnë 15 eurot, me të cilat e kishte blerë e ta kthejë produktin aty ku e porositi.
Madje, rastësisht i kishte ndodhur që edhe nëna e tij e kishte blerë të njëjtin krem, veçse në lokal.
Pavarësisht se i riu ishte i bindur se produkti nuk përmbante asnjë përbërës nga ato se çfarë kishte pretenduar faqja në fjalë, kjo e fundit këmbëngulte se ishin gënjeshtra kur thuhej se kremi shitej gjithkund nëpër dyqane.
Kështu, duke u munduar që të arsyetohet dhe duke parë se personi që e porositi kremin nuk do ta lë me kaq, nga faqja e bllokuan atë në rrjete sociale.
Sipas tij, tentimet e vazhdueshme për t’i manipuluar klientët kanë bërë që të mos u besojë faqeve online dhe të heqë dorë nga porositë në to. /Klankosova.tv