
Krenar Lloga reagon: Pushteti po ushtron presion ndaj gazetarëve
Krenar Lloga ka reaguar ashpër ndaj trajtimit të gazetarit Nevrij Ademi nga organet e rendit, duke e cilësuar këtë si presion të papranueshëm ndaj mediave kritike.
“Fakti që nuk mund ta ndalonin me kërcënime direkte për jetën e tij, i shtyu të bënin budallakinë e radhës duke e thirrur në stacionin policor dhe duke ushtruar presion, madje duke tentuar t’i marrin edhe mjetin e tij të punës, në këtë rast, telefonin. Sot Nevrij Ademi, Rami Mislimi dhe TetovaSot, dje Ylberi dhe Top24.mk, janë shembulli i padurueshmërisë ndaj atyre që ua nxjerrin të palarat në shesh,” tha Lloga.
Ai akuzoi pushtetarët për keqpërdorime dhe mungesë transparence.
“Nuk është faji i askujt përveç pushtetarëve lokalë e qendrorë që shesin pronën publike në mënyrë të dyshimtë, privatizojnë në mënyrë të dyshimtë, japin partneritete publiko-private në mënyrë të dyshimtë. Marrin fonde nga kompani serbe e s’kanë të drejtë fjale se nuk i lë Kryeministri Mickoski, ama atij i rrijnë ‘mirno’,” u shpreh ai.
Lloga paralajmëroi se kjo situatë nuk do të zgjasë pafund.
“‘Të dyshimtë’ do të jenë deri në fund të tetorit, pastaj do të kenë status tjetër. Deri atëherë do durojmë këtë karikaturë-regjim. Mbështetje të plotë për Nevrijun dhe TetovaSot,” theksoi ai. Flaka Media