
Krespo: Zemra ime do të jetë me Interin dhe River Plejtin në Botërorin e klubeve
Hernan Krespo ndodhet këto ditë në Atlanta, qyteti ku është ekspozuar trofeu i Botërorit për Klube. Ish-sulmuesi i Interit dhe River Plejtit e prezantoi kështu turneun për mikrofonat e “RTV San Marino”:
“Do të jetë ngjarje sportive e rëndësishme për të gjithë, sepse më në fund do të mund t’i shohim lojtarët të përballen me njëri-tjetrin me fanellën e klubeve të tyre në një turne të vërtetë. Kështu që do të jetë diçka madhështore, do të jetë fantastike t’i shohim duke luajtur”.
Krespo ka luajtur për “Millonarios”, por edhe për Interin, Çellsin dhe ka qenë trajner i Al-Ain. Gjithsesi, “Valdanito” e ka të qartë për kë do të bëjë tifo.
“Është me të vërtetë e vështirë, sepse jam rritur me River Plejtin deri në moshën 21-vjeçare. Gjithashtu kam kaluar 4 vite të karrierës tek Interi, ndaj zemra ime do të jetë me ta. Do të jetë shumë e vështirë për të dyja skuadrat, pasi ka klube të mëdha në garë. Ndoshta, nëse do të flisja me FIFA-n, ata mund të më ftonin (me shaka)”.