Kroacia padit serbin për vrasjen e gjyshit të futbollistit Luka Modriq
Zeljko Badza, polic serb gjatë kohës së luftës, i cili u shpërngul në Australi, është akuzuar për vrasjen e shtatë civilëve në 1991, përfshirë gjyshin e kapitenit të ekipit kombëtar kroat të futbollit, Luka Modriq.
Zyra e prokurorit shtetëror të qarkut në Split tha të enjten se ka ngritur një aktakuzë që akuzon Zeljko Badza, tani 63 vjeç, për krime lufte për vrasjen e shtatë civilëve në territorin e pushtuar nga rebelët serbë pranë qytetit të Zadarit në vitin 1991.
Viktimat përfshinin gjyshin e kapitenit të ekipit kombëtar kroat të futbollit dhe lojtarit të Real Madrid, Luka Modriq.
Gjyshi i Modriq, 61-vjeçari Luka Modriq, pas të cilit u emërua futbollisti, u vra më 18 dhjetor 1991 pranë fshatit Meki Doci, afër qytetit të Zaton Obrovacki.
Sipas aktakuzës, Badza shërbeu si komandant i një toge speciale dhe ishte anëtar i një njësie paraushtarake serbe në qytetin Obrovac.
Badza dhe anëtarë të paidentifikuar të njësisë u ndeshën me Modriq, i cili po kulloste dhi pranë shtëpisë së tij, ku e qëlluan dhe vranë pa ndonjë arsye.
Më pas, ata kishin shkuar me makinë në fshatin Meki Doci, duke hapur zjarr mbi civilët që hasën gjatë rrugës dhe shkaktuan vdekjen e gjashtë personave të moshës 60 vjeç e lart.
Badza u transferua në Australi dhjetë vjet më parë. Marrja e tij në pyetje në Australi ishte kërkuar por nuk ishte dhënë, ai aktualisht nuk është i disponueshëm për autoritetet gjyqësore kroate.
Futbollisti Modriq ende nuk ka komentuar mbi aktakuzën. Megjithatë ai ka folur në të kaluarën se si vdekja e gjyshit të tij ndikoi fuqishëm tek ai kur ishte i ri.
“Isha shumë i lidhur emocionalisht me gjyshin tim. Unë u emërova pas tij. Nuk është e lehtë kur i ndodh një të riu dhe nuk mund ta kuptosh”, Modriq kishte thënë për mediat.
Vrasjet e Modriq dhe viktimave të tjera ndodhën pasi Ushtria Popullore Jugosllave, e ndihmuar nga luftëtarët lokalë serbë kroatë dhe e mbështetur nga regjimi i Slobodan Millosheviçit në Beograd, kishte pushtuar një të tretën e territorit kroat në vitin 1991.
Dëshmia vendimtare në këtë rast vjen nga nipi i gjyshit Modriq, i cili u fsheh pranë në atë kohë.
Pasi gjyshi i Modriq i solli nipit pak ushqim dhe më pas u kthye në një vend rreth 200 metra larg, nipi pa një Land Rover dhe një automjet policie që vinin nga Obrovac, sipas aktakuzës.
Ai tha se dëgjoi të bërtitura dhe më pas të shtëna armësh. Më pas automjetet u larguan.
Atë mbrëmje, nëna e tij i solli darkën dhe i tha se Luka Modriq ishte gjetur i vrarë me armë zjarri në kokë, thuhej në aktakuzë.
Artikulli fillimisht u publikuar në BalkanInsight.