
Kryeparlamentari Gashi shpall zgjedhjet lokale për 19 tetor – Fushata nis më 30 shtator
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka nënshkruar vendimin për shpalljen e zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 19 tetor 2025. Vendimi i është dorëzuar organeve kompetente, ndërsa gjatë kësaj periudhe Kuvendi do të vazhdojë punën administrative, por nuk do të ketë seanca plenare për të shmangur keqpërdorimin e foltores për fushatë.
Gashi u bëri thirrje partive dhe kandidatëve për një garë të qetë, pa presione, pa fjalor përçarës dhe pa abuzim me institucionet apo burimet publike. Ai theksoi nevojën për standarde evropiane dhe respekt të vullnetit të qytetarëve.
Zgjedhjet do të zhvillohen në dy raunde, në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit, për kryetarë dhe këshilla komunalë me mandat 4-vjeçar. KSHZ pritet të publikojë kalendarin e afateve zgjedhore, ndërsa kontrolli i listës zgjedhore do të nisë 15 ditë pas shpalljes dhe do të zgjasë 20 ditë. Afati për dorëzimin e listave të kandidatëve është 15 shtatori, ndërsa fushata nis më 30 shtator.
Shteti ka ndarë rreth 10 milionë euro për organizimin e procesit, ku dy të tretat janë për reklamim politik. Do të angazhohen 21 mijë administratorë dhe rreth 14 mijë anëtarë të këshillave zgjedhor të propozuar nga partitë kryesore.
The post Kryeparlamentari Gashi shpall zgjedhjet lokale për 19 tetor – Fushata nis më 30 shtator appeared first on Flaka, në çdo lajm… .