Kryeparlamentari Gashi zhvillon takim lamtumire me ambasadorin e Turqisë
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, zhvilloi takim lamtumire me ambasadorin e Turqisë në vend, Fatih Ulusoy, para përfundimit të mandatit të tij diplomatik.
Sipas njoftimit të Kuvendit, Gashi shprehu mirënjohje për ambasadorin Ulusoy për kontributin e tij në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe forcimin e dialogut politik ndërmjet dy vendeve.
Gjatë takimit u konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera politike mes Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë, ndërsa u riafirmua interesimi i përbashkët për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen.
Në fokus pritet të jetë forcimi i bashkëpunimit ndërparlamentar në nivel dypalësh dhe shumëpalësh, zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve, si dhe intensifikimi i bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë.
Duke e falënderuar për bashkëpunimin e frytshëm dhe intensiv, Gashi i uroi ambasadorit Ulusoy suksese në angazhimet e ardhshme profesionale. Kryetari i Kuvendit shprehu gjithashtu bindjen se Ulusoy do të vazhdojë edhe në të ardhmen ta mbështesë Maqedoninë e Veriut dhe forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
