Kryeparlamentarja e Kosovës mesazh Tiranës: “Shqipëria është shtëpia jonë”, arroganca vetëm i nxit protestat
Kryeparlamentarja e Kosovës ka reaguar lidhur me protestat dhe zhvillimet e fundit në Shqipëri, duke kërkuar që institucionet shqiptare t’i dëgjojnë kërkesat e studentëve dhe protestuesve.
“Shqipëria për ne është shtëpi”, ka deklaruar ajo, duke theksuar se situata atje i shqetëson qytetarët e Kosovës dhe se kërkesat e protestuesve duhet të trajtohen me seriozitet nga Kuvendi, Qeveria, Kryeministria dhe Presidenca.
Ajo ka bërë thirrje për qasje serioze ndaj protestave, duke paralajmëruar se arroganca e institucioneve mund ta përshkallëzojë edhe më shumë situatën.
“Ne nuk e mbështesim dhunën. Dhuna duhet të ndalohet nga të dyja palët”, ka theksuar ajo, duke kërkuar maturi dhe tejkalim të dallimeve përmes dialogut.
Ndërkaq, lidhur me mundësinë e pjesëmarrjes së mbështetësve të Lëvizjes Vetëvendosje në protestat në Shqipëri, ajo ka sqaruar se partia nuk ka bërë thirrje për mbështetjen e protestave.
Megjithatë, ajo ka theksuar se Vetëvendosje ka mbështetje të madhe qytetare dhe se nuk mund të përjashtohet mundësia që mbështetësit e saj të marrin pjesë individualisht në protesta.
Deklaratat vijnë në një kohë kur protestat në Shqipëri kanë nxitur reagime dhe diskutime edhe përtej kufijve, ndërsa mbetet për t’u parë nëse institucionet shqiptare do t’u përgjigjen kërkesave të studentëve dhe protestuesve./Shprehja.com