
Kryesia e ASH-së: Nuk jemi dekor politik, por faktor kyç në qeverisje
Pas takimit të zhvilluar mes Kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, dhe Kryeministrit Hristijan Mickoski, Kryesia e ASH-së ka dalë me një deklaratë përmes sekretarit të përgjithshëm, Blerant Ramadani, duke riafirmuar pozicionin e saj politik në kuadër të qeverisjes së re.
Ramadani theksoi se Aleanca për Shqiptarët nuk është një dekor politik në qeveri, por një faktor kyç që udhëhiqet nga parime të qarta dhe vizion i përgjegjshëm për shtetin. Sipas tij, partia mbetet e përkushtuar ndaj barazisë, pastrimit të institucioneve dhe ndërtimit të një shteti që respekton çdo qytetar, pa dallime.
“Kjo qasje nuk është e re për ne, por pjesë e ADN-së sonë politike,” tha Ramadani, duke rikujtuar se që nga themelimi, Aleanca ka ndërtuar profilin e saj mbi bazën e qëndrimeve të palëkundura dhe jo kompromiseve të përkohshme.
Ai shtoi se për Aleancën, bashkëqeverisja nuk është qëllim në vetvete, por një mjet për të sjellë rezultate konkrete në dobi të qytetarëve shqiptarë dhe të gjithë shtetasve të Maqedonisë së Veriut. “Nuk bëjmë kompromis me dinjitetin dhe do të vazhdojmë të jemi zëri i besueshëm i shqiptarëve dhe i së ardhmes së përbashkët,” përfundoi Ramadani./ZYRTARE.net/