
Kryetari i “përjetshëm” i Fushë Kosovës emëron Drejtor të Inspeksionit, vëllain e gruas së djalit

Komuna e Fushë Kosovës ka emëruar si drejtor të Inspektoratit, Donat Zharku. Gazeta Insajderi ka mësuar ekskluzivisht se ai është familjar i afërt me kryetarin e Komunës, Burim Berishës.
Sipas burimeve të Insajderit, Donat Zharku është vëllai i gruas së djalit të kryetarit, Trim Berishës. Familja Berisha është ekspozuar para nepotizmit të pastër duke punësuar mikun e fëmijës në një post të rëndësishëm brenda komunës që udhëhiqet që pesë mandate nga Burim Berisha i LDK’së.
Drejtori i ri, Donat Xharku është emëruar në këtë pozitë javën e kaluar me miratim të kryetarit, Burim Berisha.
Emërimi i tij në këtë pozitë ka ardhur pasi ish- drejtori, Adnan Imeri kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.
Lajmin për Gazetën Insjaderi e ka konfirmuar vetë Donat Zharku duke shtuar se emërimi i tij në këtë pozitë nuk ka të bëjë me lidhjen familjare që ka me kryetarin e Fushë Kosovës, Burim Berishës.
“Pozita ime aktuale është rezultat i përvojës dhe angazhimit tim profesional ndër vite dhe në asnjë moment lidhjet familjare nuk kanë pasur ndikim në këtë proces. Po të ishte për shkak të lidhjeve familjare atëhere këtë pozite do ta merrja shumë më herët dhe jo tani”, ka thënë ai për Insajderin.
Gazeta Insajderi ka bërë përpjekje që të marr edhe një përgjigje nga kryetari i komunës, Burim Berisha, por i njëjti nuk ka kthyer asnjë përgjigje.
Po ashtu, pyetje janë dërguar edhe djalit të kryetarit, Trim Berisha, pasi e ka mik (vëlla të gruas) Donat Zharkun por, as ai nuk ka komentuar rastin.
Kujtojmë se edhe punësimi i Trim Berishës në Ministrinë e Pushtetit Lokal kishte bërë bujë të madhe në vitin 2020.
Ai ishte caktuar zëvendësues i sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Pushtetit Lokal./ Gazeta Insajderi/