Kthimi i kufomës së Hajrizit, Smakiqi: Mund të shkojë ngadalë nga Serbia por…
Avokati Xhevdet Smakiqi ka folur pas vrasjes së Faton Hajrizit në Serbi, ku tha se origjinën kjo tragjedi e pati në dështimin e Shërbimit Korrektues e pastaj, sipas tij, edhe të ministrisë së Punëve të Brendshme që ta arrestojë sërish shtetasin e vet.
Smakiqi foli edhe për procedurën e transferimit të kufomës së Hajrizit tek familjarët, ku tha se shteti i Kosovës, e ka obligim që në bazë të ligjeve ta kërkojë transferimin e trupit të pajetë të Hajrizit.
“Për sa i përket procedurave për transferimin e kufomës së të ndjerit, ekzistojnë dispozita edhe të konventave ndërkombëtare, mirëpo është rasti i parë që i ndodhi Kosovës që pas luftës dhe pas pavarësisë të vritet nga policia serbe”.
“Dhe ai paraprakisht e kreu një vrasje tjetër. Obligimi kryesor, meqë dështoi qeveria në të gjitha fazat e mëhershme, është që në bazë të ligjeve të Kosovës, e ka detyrim që për shtetasin e vet të kërkojë transferimin e trupit të tij”, tha ai në “Edicioni Special” në Klan Kosova.
Më tej, Smakiqi tha se pas obduksionit që do t’i bëhet trupit të Hajrizit nga organet e Serbisë, Kosovës mbase edhe do t’i duhet që përmes mekanizmave ndërkombëtarë ta kërkojë kthimin e kufomës tek familjarët.
“Pas obduksionit që do t’ia bëjnë organet e Serbisë, ai trup më s’ka çka i duhet Serbisë dhe Kosova duhet ndoshta edhe përmes mekanizmave ndërkombëtarë, pasi e dimë se në çfarë tensione jemi me Serbinë dhe për vet faktin e gjuhës dhe retorikës nacionaliste që po shfaqet nga Serbia”.
“Mund të ketë qasje të ngadalshme nga ana e Serbisë, por mendoj që ministria e Punëve të Brendshme duhet ta bëjë kërkesën që pas obduksionit, trupi t’i dorëzohet njëherë organeve të Kosovës e pastaj familjes që t’i mundësohet varrimi me ritet fetare dhe zakonet kombëtare sepse e meriton këtë familja Hajrizi”, tha ai.