
Kumbulla dëshmon kualitetin, kërkon vizën për në Gjermani
Marash Kumbulla luajti titullar në përballjen mes Sassuolos dhe Interit. Mbrojtësi 24-vjeçar ishte nga më të mirët në fushë në takimin e javës së 35-të duke u vlerësuar me notën 7.4. Shtatlarti, i cili është në pronësi të Romës regjistroi ndeshjen e dytë si titullar dhe tashmë gradualisht po arrin formën e tij më të mirë, si një sinjal se e ka lënë totalisht pas krahëve atë dëmtim që e mbajti larg fushave për gati një vit. Sassuolo është në garë për mbijetesën e në këto javë të fundit do besojë tek cilësitë e mbrojtësit kuqezi.
Futbollisti nga Malësia e Madhe konsiderohej një nga talentet e mëdhenj të Shqipërisë, por ai dëmtim e penalizoi jo pak. Futbollisti i cili në kualifikueset e kampionatit europian luajti vetëm në takimin e parë me Poloninë në Varshavë në ndeshjen e marsit të vitit të shkuar është edhe në konsideratën e Sylvinhos.
Braziliani ka nisur prej kohësh që të përpilojë listën e lojtarëve që do të marrë me vete në Europian. Aktivizimi në ndeshjet e fundit te Sassuolo e gëzon dhe brazilianin e kombëtares, pasi do të ketë një alternativë më tepër për prapavijën. Cilësitë e Kumbullës dihen, pasi jo më kot dhe Roma shpenzoi 25 milionë euro për të marrë shërbimet e tij nga Verona.
Kumbulla, në këto ndeshje të fundit do ketë si qëllim jo vetëm të japë kontributin e tij për të mbajtur Sassuolon në Serie A, por dhe të jetë në formë për Europianin me shpresën se Sylvinho do e përfshijë në listën e 26 lojtarëve që do të udhëtojnë drejt Gjermanisë, ku kuqezinjtë do të përballen me Italisë, Kroacinë dhe Spanjën.