Kumbulla: Objektivi është të ndihmoj klubin dhe të bëjmë një gjysmësezon të madh
Broja dhe Kumbulla ishin dy mungesat e mëdha të Silvinjo-s në kualifikueset “Euro 2024”, të dy lojtarët e kishin fatin të ndërlidhur këtë periudhë, të dy vinin pas një dëmtimi shumë të rëndë, të dy ndryshuan skuadrwn në këtë merkato dimri, me shpresën për të kapur formën e tyre optimale.
Kumbulla u largua nga Roma në formë huazimi te Sassuolo deri në përfundim të këtij sezoni, një huazim i thatë pa asnjë obligim. Gjatë prezantimit të tij te Sassuolo, Kumbulla nuk harroi të përshëndes Romën.
“Faleminderit Roma! Faleminderit për mënyrën se si më pritët, për emocionet që provova, e sigurt është që nuk do t’i harroj kurrë. I uroj fat Romës dhe tifozëve të mrekullueshëm”, u shpreh ndër të tjera Kumbulla, një postim që solli një reagim të madh nga ana e tifozëve verdhekuq, të cilët i kujtuan se bëhet fjalë thjesht për një huazim, në fund të sezonit do të rikthehet sërish në Romë.
Me shpresën që të ketë sa më shumë minuta në këmbë, Kumbulla foli dhe për aventurën e tij te re te Sassuolo.
“I lumtur që vesh këtë fanellë dhe të nis këtë aventurë të re. Objektivi është të ndihmoj klubin të bëjmë një pjesë të dytë sezoni të madh. Mezi pres të zbres në fushë dhe të luftoj për këto ngjyra”, u shpreh Kumbulla./Balkanweb/