
Kur s’ka argument, vjen shpifja: Profili i hakuar për të inskenuar largim nga Aleanca
Pas një valë raportimesh mediatike që njoftuan për largimin e tij nga Aleanca për Shqiptarët, Jasin Demiri – një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kryetarit të partisë Arben Taravari dhe të kryetarit të Komunës së Gostivarit, Valbon Limani – ka reaguar publikisht, duke mohuar kategorikisht se ka bërë ndonjë deklaratë për largim nga subjekti politik ku vepron prej vitesh.
Sipas një postimi të dytë të shpërndarë sot, Demiri ka njoftuar se profili i tij personal në rrjetin social Facebook është hakuar nga persona të panjohur dhe se nuk ka asnjë lidhje me përmbajtjen që u publikua në emrin e tij.
“Të nderuar miq, familjarë dhe bashkëpunëtorë, dua t’ju kërkoj ndjesë të sinqertë për një postim që është publikuar së fundmi nga profili im. Ky postim nuk është bërë nga unë personalisht. Fatkeqësisht, më është vjedhur fjalëkalimi!” shkruan Demiri.
Ai kërkoi mirëkuptim dhe ndjesë për çdo keqkuptim që është krijuar në opinion dhe theksoi se nuk qëndron pas atyre fjalëve që i janë atribuar.
“Ju kërkoj mirëkuptim dhe ndjesë për çdo keqkuptim të shkaktuar.”
Ky zhvillim vjen në një moment delikat për Aleancën për Shqiptarët, ndërsa vetë Demiri vazhdon të gëzojë reputacion në strukturat lokale dhe në bashkëpunimin e ngushtë me udhëheqësit e partisë. Rasti ka nxjerrë në pah edhe një tjetër problem shqetësues në skenën politike – përdorimi i ulët i metodave të manipulimit, si hakimi i profileve dhe shtrembërimi i fakteve, për të dëmtuar figura publike dhe përhapur dezinformim. Flaka
The post Kur s’ka argument, vjen shpifja: Profili i hakuar për të inskenuar largim nga Aleanca appeared first on Flaka, në çdo lajm… .