Kurti: Ajo që ndodhi në Mitrovicë duhet të hetohet
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka shpallur fitoren në zgjedhjet lokale. Kurti tha se Vetëvendosje ka fituar pa balotazh 3 komuna dhe ka shkuar në raundin e dytë në 12 të tjerë, duke marrë rezultatin më të mirë.
“Në zgjedhjet e djeshme VV ka fotuar në Podujëve, Kamenicë e Shtime. Mund të kemi fituar dhe Gjilanin pa balotazh me votat e diasporës. Jemi në balotazh në 12 nga 17 komuna. Këto janë rezultate paraprake dhe pritet ende numërimi i votave të diasporës. Rezultatet tregojnë që VV e ka ruajtur rritjen nga zgjedhjet në zgjedhje, por është ngritur si forcë kryesore edhe në nivel lokal. Kjo është dhurata më e mirë nga populli. Sot i përvishemi punës për balotazhin. Duam të fitojmë në këto komuna dhe të kthehet ose të vazhdojë qeverisja e mirë, që komunat të ecin përpara, ku qeveriset me transparencë”, tha Kurti.
Në një deklaratë për mediat, kreu i qeverisë kërkoi nga autoritetet që të hetojnë exit pollet për Mitrovicën, pasi sipas tij nuk ishte një gabim, por një sulm i organizuar.
“Ajo që ndodhi në 12 tetor për raportimet me Mitrovicën duhet hetuar, nuk është huqje, por ndërhyrje në proces. Exit pollet me 16 pikë gabime nga organizata të ndryshme, nuk janë një huqje. Ky është cënim i demokracisë. I ftoj organet e drejtësisë të merren me këtë çështje”, shtoi Kurti.