Kurti shkruan për kongresin e VLEN-it: Pesë subjekte u shkrinë në një, e pazakonshme për rajonin tonë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook ka shkruar disa fjalë pas pjesëmarrjes në Kongresin e VLEN-it në Shkup, duke e cilësuar bashkimin e pesë subjekteve politike në një forcë të vetme si një zhvillim të pazakonshëm për rajonin, transmeton Zyrtare.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti ka shkruar se një bashkim i tillë është i rrallë për Ballkanin, duke shtuar se rajoni zakonisht është mësuar me ndarje dhe përçarje politike.
“Krejt pazakonshëm për rajonin tonë, mbase për shkak se jemi mësuar me të kundërtën e kësaj, pesë subjekte politike u bënë bashkë e u shkrinë në një”, ka shkruar Kurti.
Ai ka bërë të ditur se në postim ka ndarë edhe fjalën e tij përshëndetëse të mbajtur mbrëmë në Kongresin e VLEN-it në Shkup, të shoqëruar me disa fotografi nga ngjarja.
Pjesëmarrja e Kurtit në kongresin e VLEN-it u pa si mbështetje politike për procesin e bashkimit të koalicionit shqiptar në Maqedoninë e Veriut në një subjekt të vetëm politik./Zyrtare.net/