Kurti “zbarkon” në Kuvend – Takim vendimtar me Abdixhikun, a po arrihet marrëveshja për president?
Kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga skadimi i afatit ligjor për zgjedhjen e kreut të shtetit, kryeministri Albin Kurti është rikthyer sot në tavolinën e bisedimeve me liderin e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Konsultimet e radhës po zhvillohen brenda hapësirave të Kuvendit të Kosovës, në një përpjekje për të gjetur një gjuhë të përbashkët.
Nga takimi i kaluar i së hënës u bë e qartë se palët ende nuk kanë një emër konsensual. Ndërkohë, PDK mbetet e prerë në qëndrimin e saj, duke kërkuar që posti i presidentit t’i takojë propozimit të tyre.
Kryeministri Kurti ka deklaruar se mbështetja aktuale në Kuvend i mundëson atij mbledhjen e 30 firmave të nevojshme për të procesuar dy kandidatura.
Koha po mbaron. Data 5 mars shënon kufirin e fundit kushtetues; nëse deri atëherë nuk votohet presidenti i ri, Kosova detyrohet t’u drejtohet sërish kutive të votimit.