Kuvendi emëron tre anëtarët e KSHC-së të Agjencisë së Kosovës për Akreditim
Kuvendi i Kosovës më 57 vota pro, katër kundër dhe një abstenim ka emëruar tre anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.
Ministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hajrullah Çeku, tregoi procedurën.
“Në njoftimin e agjencisë specifikohet se, nga praktikat e pesë viteve të fundit, mund të konkludohet se fushat më urgjente për plotësimin e anëtarëve të KSHC-së janë:
1. Shkencat sociale dhe humane; dhe
2. Mjekësia.
Më 1 prill 2026, kjo çështje është adresuar te Zyra e Sekretares së Përgjithshme në ministri. Më 7 prill kam pranuar kërkesën nga Departamenti për Arsim të Lartë për shpalljen e thirrjes publike për nominime.
Pas aprovimit të kësaj kërkese, është shpallur thirrja për nominime, e vlefshme nga 7 prilli deri më 15 prill, për tre anëtarë të KSHC-së. Më 17 prill është emëruar komisioni për shqyrtimin e dokumentacionit të aplikantëve për anëtarë të KSHC-së.
Përbërja e komisionit është caktuar sipas Ligjit për Agjencinë e Kosovës për Akreditim, respektivisht pesë anëtarë, të cilët vijnë nga: Konferenca e Rektorëve; administrata e MASHT-it; përfaqësues nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës; përfaqësues nga partneri zhvillimor ndërkombëtar aktiv në fushën e arsimit; si dhe përfaqësues nga shoqëria civile, aktiv në fushën e arsimit.
Komisioni është takuar më 20 prill në mëngjes për të shqyrtuar aplikimet, duke konstatuar se janë 10 kandidatë të nominuar për tri pozitat përkatëse. Më 21 prill, komisioni dorëzoi raportin përfundimtar te ministri.
Sipas raportit, për shkencat mjekësore janë katër kandidatë që plotësojnë kriteret: Driton Vela, Jeta Kelmendi, Armond Daci, Agreta Gashi.
Dy nga shkencat humane: Florim Gallopeni, Shkëlqim Millaku.
Dhe dy nga radhët e studentëve: Burt Bajrora, Zana Shabani Ismajli.
Ndërsa për dy të tjerë, Mustafa Demhasaj dhe Hajrizi, është konstatuar se nuk i plotësojnë kriteret. Nga këta tetë kandidatë të kualifikuar, më 21 prill, i kam propozuar tre emra për pozitat përkatëse në Qeveri. Qeveria e ka miratuar këtë propozim-vendim me votim elektronik dhe i njëjti është dërguar Kuvendit të Republikës”, tha Çeku.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Sala Jashari, pati kritika për emrat e paraqitur.
“Në vazhdën e këtyre dështimeve të Qeverisë Kurti, sot në këtë seancë jemi të gjithë dëshmitarë të tentativës së qartë për politizim në arsim. Rasti i fundit është përshpejtimi dhe ndërhyrja në bordet e institucioneve të pavarura, si Agjencia e Akreditimit.
Institucionet që duhet të jenë garant i cilësisë, institucione të pavarura dhe profesionale, realisht dhe fatkeqësisht po rrezikojnë të shndërrohen në instrumente politike. Dhe mbi të gjitha, është ironike se pikërisht sjelljet për të cilat Vetëvendosja ka proklamuar parime se këto borde duhet të jenë neutrale e profesionale, sot po shkelen haptas përmes tentativave për kapjen e institucioneve të pavarura të shtetit”, tha ajo.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, tha se ka kapje të shtetit me emrat e propozuar.
“Po flasim për një proces përzgjedhjeje që është jashtë afateve. Është bërë vlerësim për 48 orë me kandidatë me kushte të barabarta dhe nuk është bërë asnjë lloj intervistimi.
Po flasim për një proces plotësisht të kontestuar dhe veç paramendoni, për një institucion të pavarur për arsimin, për një institucion që siguron cilësinë në Kosovë, bëhet tentim kapjeje dhe politizimi i tij.
Ju e dini që para sa kohe Agjencioni për Akreditim është përjashtuar nga organizimi ndërkombëtar ENQA dhe EQAR vetëm pse është politizuar. Dhe tash po përsëritet historia – dhe prej kujt? Pikërisht prej partisë politike e cila flet për cilësinë në arsim.
Tash, konkretisht, bëhet fjalë për instalimin e njerëzve të partisë Vetëvendosje në këtë bord. Po flasim për Driton Velën, një ish-kandidat për deputet nga radhët e Vetëvendosjes. A ka më kapje eklatante dhe të dukshme? Nuk ka. Sepse pushteti po don me shtri dhe me kap agjencionin, sado që është i thjeshtë. Agjencia e Akreditimit nuk është zyrë e pushtetit, as zyrë partiake. Prandaj nuk guxon me kalu si e tillë, sepse përndryshe bëheni pjesë e një kapjeje dhe politizimi të arsimit, që është njëri prej problemeve kryesore që sot ka arsimi në Kosovë.
Dhe për këtë nuk po e them unë, nuk po e thotë vetëm partia jonë, por e thonë edhe 14 organizata joqeveritare që ju kanë shkruar dhe kanë bërë apel publik, të shqetësuara për procedurat dhe tentimin për kapjen e Agjencionit për Akreditim”, tha ajo.