
Kvaratshkelia prezantohet te PSZH, Napoli fut në xhep 75 mln euro
Kvicha Kvaratskhelia është zyrtarisht futbollist i PSZH. Pas lamtumirës me Napolin, skuadër ku mori famë dhe fitoi titullin në Serie A, gjeorgjiani u prezantua në Paris me anë të një video mesazhi.
“PSZH është i lumtur të njoftoi arritën e marrëveshjes me Kvicha Kvaratskhelia. 23-vjeçari do të mbajë të veshur fanellën me numrin 7, bëhet lojtari i parë gjeorgjian që vesh fanellën e klubit”, lexohet ndër të tjera në postimin e PSZH.
Pasi kaloi me sukses testet mjekësore, Kvara firmosi një kontratë deri në 2029. Sheikut Al Khelaifi i kushtoi 70 milionë euro kartoni i Kvara-s, plus 5 të tjera në formë bonusesh. Më në fund, Luis Enrike do të ketë në dispozicion lojtarin që e kërkoi që në verë, por Konte dhe De Laurentiis u bënë fillimisht pengesë për t’u dorëzuar tani, në janar.
“Është një ëndërr të jem këtu. Kam dëgjuar shumë gjëra pozitive për PSG. Jam shumë krenar që do të bashkohem me këtë grup, me këtë klub të madh”, ishin fjalët e para të sulmuesin gjeorgjian me fanellën e PSZH.