
Ky është i riu që kërkohej për tentim vrasje, arrestohet në një lokal në Fushë Kosovë
Një numër i madh i të dyshuarve që kërkohen nga organet e rendit arrijnë ta shijojnë lirinë nga arratia. Plot të akuzuar e të dënuar për vepra të ndryshme penale, që kanë ikur nga duart e drejtësisë, shpallen në kërkim dhe ndaj tyre lëshohen urdhër arreste, raporton Gazeta Sinjali.
I kërkuar për një rast të përfshirjes në vepër penale, një 21-vjeçar ka përfunduar së fundmi në prangat e Policisë.
Personi i dyshuar u kap në lokalin “As Lounge” në rrugën “Dardania” në Fushë Kosovë dhe u dërgua në mbajtje.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se bëhet fjalë për Albrim Çitakun, i kërkuar nën dyshimet se ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë”.
I njëjti u ndalua dhe pas verifikimit, u prangos dhe u dërgua në njërën nga qendrat korrektuese në vend.
Brenda afatit ligjor, Prokuroria do të ushtrojë kërkesë për caktimin e masës së sigurisë.