
Laboratori i falsifikimit të dokumenteve në Prishtinë që u hetua edhe nga autoritetet e huaja- Ky është i arrestuari tjetër

Policia e Kosovës përgjatë së mërkurës ka arrestuar edhe një të dyshuar lidhur me rastin e laboratorit të falsifikimit të dokumenteve në Prishtinë.
Në njoftimin e Policisë u bë e ditur se në rast janë përfshirë edhe partnerët ndërkombëtarë, ata të EUROPOL’it, shkruan Insajderi.
“Gjatë këtyre veprimeve, sot më 23.04.2025 është siguruar prezenca dhe është intervistuar edhe i dyshuari tjetër me inicialet SH.E., si pjesë e grupit. I njëjti është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Speciale (PSRK-së), është dërguar në mbajtje për 48 orë”, u tha ndër të tjera në njoftimin e Policisë.
Gazeta Insajderi përmes burimeve përbrenda policisë merr vesh se i arrestuari është Shkëmbim Emrullahu, si pjesë e grupit të të arrestuarve.
Insajderi ka raportuar ekskluzivisht lidhur me rastin e laboratorit të dokumenteve falso në Prishtinë.
Të arrestuar në këtë rast kanë qenë babë e bir. Bëhet fjalë për Flamur dhe Arif Krasniqin.
Arif Krasniqi dyshohet për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprën penale “Falsifikimi i dokumentit”.
I pandehuri në fjalë ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ai ishte në mesin e 157 emrave të ish-pjesëtarëve të UÇK’së që po kërkoheshin nga Serbia nëpërmjet INTERPOL-it.
Prokuroria Speciale bëri të ditur në dosjen që kishte pare Insajderi se Policia të dyshuarin e parë, Flamur Krasniqin, e kishte kapur në flagrancë në Veternik të Prishtinës përgjatë një kontrolli rutinor. Në pikapin e tij, ai po barte gjithsej 16 çanta me material për falsifikim dokumentesh.
SHIH EDHE:
Një herë dëshmitar, më pas i pandehur
Pas arrestimit të Flamurit, Arifi, babai i tij, ishte ftuar nga hetuesia për intervistim. Ai ka thënë për policinë se nuk ka qenë në dijeni për aktivitetin që po kryente i biri i tij.
Më pas, me qëllim të sigurimit të ndonjë prove, me urdhër të prokurorit Arif Krasniqit iu është sekuestruar telefoni.
Në galerinë e telefonit të tij janë gjetur 85 fotografi të dokumenteve me të dhëna të huaja. 23 nga to janë të bëra me dorëza, për të cilat Prokuroria Speciale ka dyshuar se janë realizuar në laboratorin ku është kryer aktiviteti kriminal.
“Gjithashtu gjatë ekzaminimit vërehet se i ka fshirë aplikacionet në telefonin e tij, si dhe bisedat që i ka zhvilluar në këtë kohë me persona të ndryshëm”, thotë Prokuroria në dosjen që e ka parë Insajderi.
Prokuroria dyshon se Arif Krasniqi ka shërbyer si ndërmjetës mes personave të interesuar për t’u pajisur me dokumente të falsifikuara dhe personave që kanë prodhuar të tilla dokumente.
Prokuroria Speciale ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin, duke e arsyetuar se lënia e lirë mund të pengojë rrjedhën e hetimit dhe që Krasniqi ka bashkëpunuar edhe me të pandehurit e tjerë.
Po ashtu, Prokuroria thotë se duhet pasur parasysh rrezikshmëria shoqërore që kanoset nga lënia e lirë e të pandehurit, meqë dokumentet e dyshuara të falsifikuara përfshijnë mbi 50 shtete të botës.
Mbi bazën e këtyre, Prokuroria thotë se i pandehuri rrezikon që të përsëris veprën penale apo ta kryejë ndonjë më të rëndë. /Insajderi.org/