
Lajmi në Flaka ndez debatin – Inkudrohet edhe Fetai: Dënoi ashpër thirrjet ksenofobe
Pas incidentit skandaloz me përmbajtje raciste gjatë ndeshjes së basketbollit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, zhvilluar në Kumanovë, për çka informoi Flaka, kanë reaguar zyrtarë të lartë dhe parti politike shqiptare, duke dënuar gjuhën e urrejtjes që u shfaq publikisht në prani të krerëve më të lartë të shtetit.
Arben Fetai: Tradhti e turpshme ndaj vlerave të sportit
Zëvendëskryeministri Arben Fetai përmes një reagimi publik ka dënuar me tone të ashpra thirrjet raciste të dëgjuara gjatë ndeshjes.
“Si Zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut, dënoj fuqimisht thirrjet ksenofobe dhe gjuhën e urrejtjes drejtuar shqiptarëve gjatë ndeshjes së mbrëmshme kualifikuese për Kupën e Botës në Basketboll 2027 midis Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë.
Kjo lloj sjelljeje është tradhti e turpshme ndaj vlerave të respektit dhe fair play-it që sporti duhet të përfaqësojë.
Ksenofobia dhe gjuha e urrejtjes, pavarësisht se nga cila palë vjen, nuk kanë vend në stadiumet tona, në shoqërinë tonë, as në të ardhmen tonë të përbashkët.
U bëj thirrje tifozëve, autoriteteve sportive dhe organeve drejtuese të ndërmarrin veprime të vendosura për të çrrënjosur këtë turp. Heshtja ose mosveprimi vetëm ushqejnë urrejtjen.
Si shtet, ne duhet të promovojmë gjithëpërfshirjen dhe respektin në të gjitha aspektet e jetës, përfshirë sportin. Le të punojmë së bashku për të ndërtuar një Maqedoni të Veriut ku përçarja nuk është opsion dhe ku diversiteti është forca jonë ndërsa uniteti krenaria jonë.”
ASH: Fashizëm publik në prani të krerëve shtetërorë
Me një reagim edhe më të drejtpërdrejtë, Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit dënoi ashpër atë që e quajti “gjuhë fashiste dhe skandal shtetëror të toleruar nga lart”.
“Aleanca për Shqiptarët shpreh indinjatën më të thellë dhe dënon ashpër skandalin me përmbajtje të theksuar nacionaliste dhe gjuhë të urrejtjes që ndodhi gjatë ndeshjes së basketbollit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e zhvilluar në qytetin e Kumanovës.
Në një atmosferë që duhej të ishte sportive dhe bashkuese, tribunat e palestrës u shndërruan në një skenë të thirrjeve raciste dhe fyerjeve të rënda ndaj shqiptarëve.
Parulla si ‘Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur’ dhe ‘Dhoma e gazit për shqiptarët’ përfaqësojnë jo vetëm gjuhë fashiste të papranueshme, por edhe një alarm serioz për nivelin e rrezikshëm të urrejtjes që po tolerohet publikisht në vendin tonë.”
ASH thekson se ngjarja bëhet edhe më e rëndë për shkak të pranisë fizike të liderëve shtetërorë që nuk reaguan aspak:
“Ajo që e bën këtë ngjarje edhe më shqetësuese është fakti se në momentin e këtyre thirrjeve të turpshme ishin të pranishëm vetë Kryeministri Hristijan Mickoski, Ministri i Punëve të Jashtme Panço Toshkovski, Zëvendëskryeministri Ivan Stoilkoviq, si dhe Kryetari i Komunës së Kumanovës Maksim Dimitrievski, të cilët nuk reaguan asnjë çast për të ndalur gjuhën e urrejtjes që jehonte përreth tyre.
Mosreagimi i institucioneve është skandaloz dhe për Aleancën për Shqiptarët kjo përbën bashkëpërgjegjësi morale dhe politike.”
VLEN – nën kritika për heshtje dhe bashkëfajësi
Në deklaratën e saj, ASH vë në shënjestër edhe grupimin politik VLEN, të cilin e akuzon për heshtje të qëllimshme dhe pozicionim politik përballë një akti të rëndë diskriminimi.
“Heshtja e grupimit VLEN përballë kësaj situate skandaloze – ku shqiptarët fyhen publikisht në zemër të Kumanovës, në prani të krerëve më të lartë shtetërorë – nuk është thjesht mungesë reagimi. Është pranim i heshtur dhe pozicionim politik përballë një akti të rëndë diskriminimi.
Në këtë mënyrë, VLEN jo vetëm që shmang përgjegjësinë për të mbrojtur dinjitetin e shqiptarëve, por vendoset hapur përballë tyre, duke u bërë palë në një bashkëfajësi të turpshme me pushtetin që toleron ose nxit gjuhën e urrejtjes.”
ASH kërkon veprime konkrete: hetime, dënime dhe ndërhyrje ndërkombëtare
“Aleanca për Shqiptarët kërkon reaksion të qartë dhe të prerë nga Qeveria, Federata e Basketbollit dhe organizatorët e ndeshjes, kërkim falje publike ndaj qytetarëve shqiptarë për këtë incident turpërues, hetim të pavarur dhe ndëshkim penal për organizatorët dhe nxitësit e urrejtjes në tribunat sportive, por edhe ndërhyrje nga institucionet ndërkombëtare, përfshirë OSBE-në, BE-në dhe organizatat për të drejtat e njeriut, për të monitoruar përhapjen e gjuhës së urrejtjes në Maqedoninë e Veriut.”
Reagimet e mësipërme tregojnë për një ndarje të thelluar politike dhe institucionale në trajtimin e urrejtjes etnike në vend. Heshtja e disa aktorëve, përkundër toneve të ashpra të të tjerëve, po e shndërron gjuhën e urrejtjes në një çështje serioze politike dhe morale për Maqedoninë e Veriut në vitin 2025.
The post Lajmi në Flaka ndez debatin – Inkudrohet edhe Fetai: Dënoi ashpër thirrjet ksenofobe appeared first on Flaka, në çdo lajm… .