
Lamine Xhamal dhe Pepe vendosin rekorde të reja në Ligën e Kampionëve
Ndeshjet në Ligën e Kampioneve kanë shkruar emrin e Lamine Xhamal dhe Pepe-s, si protagonistët historikë të këtij turneu. Të dy futbollistët janë regjistruar si rekordmenët e rinj të turneut.
Duke luajtur nga minuta e parë në ndeshjen e Barcelonës ndaj Napolit, Xhamal u bë futbollisti më i ri që ka luajtur në një ndeshje të fazës me eliminim direkt të turneut, duke e bërë një gjë të tillë në moshën 16 vjeç e 223 ditë.
Paralelisht, në ndeshjen tjetër në Ligën e Kampioneve, atë mes Portos dhe Arsenalit, Pepe hyri në histori duke u bë futbollisti më i vjetër që luante në fazën me eliminim direkt të turneut.
Në moshën 40 vjeç, 11 muaj e 26 ditë, ai kaloi Rajan Gigs, i cili kishte luajtur në moshën 40 vjeç, 4 muaj e 3 ditë në ndeshjen mes Mançester Junajtid dhe Bajern Munihut, në një çerekfinale të turneut.