Laporta zbret në stërvitjet, takim kokë me kokë me Çavin
Skuadra e Barcelonës nuk po kalon një moment të mirë. Humbja 4-1 ndaj Real Madrid në finalen e Superkupës konfirmoi krizën, një rezultat ky i vështirë për t’u pranuar nga drejtuesit e klubit. Trajneri Çavi është vënë në qendër të kritikave, ndaj presidenti Zhoan Laporta ka kryer në vizitë në qendrën sportive “Joan Camper”, ku skuadra përgatit ndeshjet e saj.
Mësohet se Laporta është takuar me lojtarët e trajnerin Çavi, në një takim “kokë më kokë”. Presidenti i Barcelonës i ka kërkuar skuadrës të vijojë punën dhe të qëndrojë me kokën lart, pasi sezoni është ende i gjatë. Laporta ka konfirmuar edhe një herë mbështetjen e tij për trajnerin Çavi, duke u shprehur se ka besim te projekti teknik i nisur nga ai.
Presidenti i klubit katalanas i ka kërkuar ekipit të reagojë në fushë pavarësisht zhgënjimit në Superkupë. Skuadra ka dëgjuar fjalët e presidentit, që më pas ka ndjekur nga stolat seancën stërvitore të Barcelonës. Në fund, ai është larguar nga qendra stërvitore pa dhënë asnjë deklaratë për mediat.