
Latif Arifi godet ashpër ambasadorin Meidani: Je kthyer në sorrë politike që imiton shqiponjën
Latif Arifi, themelues i Aleancës për Shqiptarët (ASH), ka reaguar ashpër përmes një statusi në rrjetet sociale ndaj pranisë së një ambasadori në një ceremoni të organizuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), duke e akuzuar për përfshirje të njëanshme dhe propagandë politike.
“Shqiponjat s’fluturojnë nëpër ceremoni të BDI-së, z. ambasador. Ato nuk zbresin në katin e propagandës,” shkruan Arifi në statusin e tij, duke lënë të kuptohet se pjesëmarrja e ambasadorit në aktivitetin e BDI-së është në kundërshtim me qëndrimin e një diplomati neutral.
Ai shkon më tej me tone të ashpra, duke thënë: “Krahët e tu, sado që i hap në foto, nuk të shpëtojnë nga e vërteta! Je kthyer në sorrë politike që imiton shqiponjën.”
Në fund të reagimit të tij, Arifi vë në pikëpyetje sinqeritetin e ambasadorit në raport me shqiptarët: “Dhe kur thua ‘ju dua shumë’, ndoshta e ke fjalën për strukturat e BDI-së, jo për shqiptarët.”/ZYRTARE.net