Legjenda e Hungarisë pati atak kardiak, por u shpëtua falë intervenimit të shpejtë
Holanda ka mundur 4:0 Hungarinë në Amsterdam në ndeshjen e xhiros së pestë të grupit 3 të Ligës së Kombeve. Megjithatë, futbolli nuk ishte në plan të parë në këtë sfidë. Ndeshja filloi në orën 20:45 dhe vetëm shtatë minuta pas fillimit, Adam Szalai, ish-sulmuesi dhe tani anëtar i shtabit të trajnerëve të kombëtares hungareze të futbollit, ra në tokë.
Jozyrtarisht thuhet se bëhet fjalë për atak kardiak apo atak epileptik. Shërbimet mjekësore mbërritën menjëherë, lojtarët dhe anëtarët e stafit rrethuan Szalai pasi kamerat kapën këmbën e tij duke u dridhur. Mediat holandeze njoftuan se ishte e nevojshme ‘ringjallja’ e tij. Më pas ai u rrethua nga një çarçaf i bardhë mjekësor, pas së cilës u transportua me barelë në dhomën e zhveshjes, ku sipas informacioneve të NOS holandeze, atij iu dha ndihma për rreth 20 minuta.
Me të rikthyer vetëdijen është dërguar me ambulancë në spital. Federata hungareze ka njoftuar në rrjetet sociale se gjendja e legjendës hungareze tanimë është stabile.
“Adam Szalai u sëmur në minutat e para të ndeshjes Holandë-Hungari, por gjendja e tij është stabile dhe është në vetëdije. Pak minuta më parë ai u dërgua me ambulancë në një spital të Amsterdamit për ekzaminim”, thuhej në njoftimin e kombëtares hungareze.
Ish lojtari më vonë ka bërë një postim në Instagram ku ka shkruar shkurt: “Jam mirë”.