
Letërsia po humb vlerën mes të rinjve – Profesorja Hajdari-Qamili: “Nuk është vetëm shkollë, por bazë për shumë profesione
Letërsia shqiptare po përballet me një krizë serioze të interesit nga të rinjtë. Prof. dr. Ajten Hajdari-Qamili, pedagoge në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, në një intervistë për Ora24.tv theksoi se ndikimi i rrjeteve sociale, kultura materialiste dhe mungesa e respektit për figurën e mësuesit kanë bërë që ky drejtim të mos shihet më si i dëshirueshëm.
“Shumë nxënës zgjedhin fakultetin nën presionin e shoqërisë ose familjes, jo për pasion. Ndërkohë, letërsia nuk perceptohet më si një fushë që garanton të ardhme”, tha ajo.
Sipas saj, programet mësimore të vjetruara dhe mungesa e mësimdhënësve që përcjellin pasion për librin, pengojnë gjeneratat e reja të afrohen me këtë fushë. “Në kohën kur influencerët dhe biznesmenët vlerësohen më shumë, figura e shkrimtarit apo e mësuesit ka humbur autoritet”, shtoi Hajdari-Qamili.
Profesorja ngriti gjithashtu shqetësimin se edhe kur studentët diplomojnë në letërsi, përballen me realitetin e pagave të ulëta, mungesës së sigurisë në punësim dhe ndërhyrjeve politike në arsim.
Megjithatë, ajo thekson se studimet në gjuhë e letërsi nuk kufizohen vetëm te profesioni i mësuesit. “Ky drejtim përgatit gazetarë, moderatorë, redaktorë, lektorë, administratorë, zëdhënës dhe shumë profesionistë të tjerë. Është një bazë e fortë intelektuale që hap rrugë të ndryshme karriere”, tha Hajdari-Qamili.
Sipas saj, për të rikthyer interesin te letërsia, është e domosdoshme të promovohet më shumë roli i saj si themel i mendimit kritik, gjuhës së pastër dhe identitetit kulturor kombëtar.