
Lëvizja Vetëvendosje pësoi rënien më të madhe në këto zgjedhje, kaq për qind humbi

Eksperti i zgjedhjeve nga organizata jo-qeveritare ‘Democracy Plus’, Albert Krasniqi, ka publikuar një grafikë që shpjegon se Lëvizja Vetëvendosje ka pësuar rënien më të madhe të votave: minus 9,4 për qind.
Krasniqi thotë se AAK-Nisma po ashtu kanë rënie prej minus 2,2 për qind, shkruan Insajderi.
Sipas Krasniqit, dy subjektet politike që shënuan rritje në këto zgjedhje parlamentare janë PDK me pesë për qind dhe LDK me 4,9 sosh.
“Sipas rezultateve nga vendvotimet në Kosovë për zgjedhjet e vitit 2025, në karahasim me zgjedhjet e kaluara të vitit 2021, LVV ka shënuar rënien më të madhe në përqindje të votave me -9.4%, e ndjekur nga AAK-NISMA me një humbje prej -2.2% (duke i llogaritur së bashku votat e tyre në vitin 2021). Nga ana tjetër, dy partitë politike që kanë shënuar rritje në krahasim me zgjedhjet e mëparshme janë PDK me një rritje prej 5.0% dhe LDK me 4.9%”, thuhet në shkrimin e tij në ‘Facebook’.
Krasniqi ka bërë këtë krahasim në kohën kur ende nuk janë numëruar votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe ato nga diaspora. /Insajderi.org/
