Ligji për Përfaqësim të Drejtë, ligji nuk e obligon deklarimin e përkatësisë etnike
“Deklarimi i përkatësisë etnike është vullnetar”, kështu thuhet në pikën 2 të nenit gjashtë të ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të propozuar nga Qeveria, e i cili mbrëmë vonë ka kaluar në lexim të parë në Kuvend. Në po të njëjtin propozim ligj thuhet se qytetari ka të drejtë të mos deklarohet për përkatësinë ndaj asnjë komuniteti dhe se e njëjta nuk do ta pengoj e të ndikojë në ushtrimin e të drejtave dhe lirive të tij, as në pozitën e tij në shtet.
NENI 6, PIKA 1
“Çdo qytetar ka të drejtë të deklarohet lirisht për përkatësinë e tij ndaj cilitdo komunitet në shtet. Kjo e drejtë ushtrohet individualisht ose së bashku me qytetarë të tjerë që i përkasin të njëjtit ose një komuniteti tjetër, pa asnjë lloj detyrimi apo presioni”.
Ndonëse përfaqësues të Qeverisë dhe deputet të shumicës gjatë prezantimit të ligjit përmendën përgjegjësinë politike dhe shkarkimin e zyrtarëve që nuk e respektojnë ligjin, një gjë e tillë nuk përmendet fare në propozimligj.
Sanksione parashihen vetëm për kandidatët që bëjnë deklarime të rreme.
NENI 6, PIKA 6
“Në rast të konstatimit të keqpërdorimit, do të merret vendim për refuzimin e atij aplikimi dhe kandidati nuk mund të aplikojë në shpallje për një periudhë prej tre muajsh”.
Edhe pse propozim-ligji vendos mekanizma për monitorim, raportim dhe planifikim të punësimeve në funksion të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, në asnjë dispozitë të tij nuk parashikohen sanksione, përgjegjësi politike apo shkarkim të funksionarëve dhe drejtuesve të institucioneve në rast të moszbatimit të ligjit. Mungesa e masave të tilla ka qenë arsyeja e kritikave të shumta të opozitës.
Mevludin Imeri /SHENJA/