Lille pret shkëlqimin e Zhegrovës, për të kaluar Fenerbahçen në Stamboll
Nën drejtimin e Paulo Fonseka-s, Edon Zhegrova ishte prej më të mirëve në edicionin e kaluar te skuadra franceze, Lille. Luajti 47 ndeshje në të gjitha garat. Megjithatë, ai e filloi sezonin në stol, ashtu siç ishte edhe në ndeshjen e parë, kundër Fenerbahçes. Por, sulmuesi i Kosovës 20 minuta pasi hyri në fushë, tregoi atë që di më së miri, duke shënuar supergol në minutën e 91-të dhe për t’i siguruar fitoren ekipit francez 2:1 ndaj ekipit të drejtuar nga portugezi Hoze Murinjo. Tani te Lille presin shkëlqimin e Zhegrovës për ta kaluar në plejofin e Ligës së Kampionëve.
“Edon Zhegrova ka cilësi të rëndësishme dhe ju e dini, e keni parë tashmë me fanellën e Lille. Ashtu si lojtarët e tjerë që hynë në ndeshjen e parë, ai ishte me ndikim. Na bëri të festojmë në fund të ndeshjes. Kjo është gjë pozitive. Ju e njihni botën e futbollit dhe konkurrencën. Puna e trajnerit nënkupton edhe zgjedhjen e disa lojtarëve në ndeshje të caktuara. Është vetëm fillimi dhe pritja si e lojtarëve, ashtu edhe e stafit është për të ndihmuar skuadrën në çdo ndeshje”, ka thënë Dimitri Farbos, ndihmëstrajner i Bruno Genesios, të hënën në konferencë para ndeshjes kthyese kundër Fenerbahçes.
Ndeshja Fenerbahçe – Lille luhet të martën në Stamboll nga ora 19:00./Koha.net/