Lionel Mesi: Ne kemi një synim dhe jemi realistë
Skuadra e Inter Majamit me trajnerin Tata Martino ka siguruar tashmë “play-off”-in për titullin, por lajmi më i mirë është se ka rigjetur Lionel Mesi-n. Sulmuesi argjentinas ishte protagonist me dy gola dhe një assist në fitoren 3-1 ndaj Filadelfia-s.
“E vërteta është se jam pak i lodhur. Në fund të fundit, edhe nxehtësia dhe lagështia e Majamit nuk ndihmojnë shumë. Doja shumë të kthehesha, kam qenë jashtë fushës për një kohë të gjatë. Së fundmi kam filluar stërvitjen me grupin, jam ndjerë mirë dhe për këtë kemi vendosur që të luaj që në fillim. Jam shumë i lumtur që u riktheva në fushë”, tha sulmuesi argjentinas.
“Ne kemi një synim dhe jemi realistë. E vërteta është se gjatë vitit kemi pasur shumë fat të keq për sa i përket dëmtimeve, nuk kemi qenë asnjëherë në fuqinë e plotë por grupi gjithmonë ka ecur përpara. Sot jemi të parët me një diferencë të madhe me vendin e dytë dhe shpresoj se mund të përfundojmë në vendin e parë, do të ishte e merituar”, tha Messi.
Mesi arriti një rekord historik në ligën e Amerikës së Veriut, duke u bërë lojtari më i shpejtë që arrin 15 gola dhe 15 asistime, në vetëm 19 ndeshje.