Liridon Ramadani: Partitë e vogla duhet të largohen nga skena politike shqiptare
Liridon Ramadani ka reaguar ashpër ndaj partive të vogla shqiptare në Maqedoninë e Veriut, duke thënë se ato po mbajnë peng shqiptarët dhe po krijojnë vetëm kaos politik.
Sipas tij, këto parti nuk kanë as bazë reale, as organizim, dhe përmend konkretisht emra si Izet Mexhiti, Bilall Kasami, Arben F., Bekim Qoku dhe Alternativa, të cilët sipas Ramadanit nuk kanë kapacitet politik por megjithatë pretendojnë të vendosin për fatin e shqiptarëve.
“Është e domosdoshme që partitë e vogla në kampin shqiptar të largohen nga skena. Po, edhe ne kemi thënë se BDI-së i takonte një mandat opozite. Por sot nuk jetojmë në rrethana normale,” shkruan Ramadani, duke shtuar se rrethanat aktuale politike janë të rënda: në qeveri është Mickovski, në opozitë Levica ekstreme, ndërsa SDSM ka rënë në terrenin nacionalist.
Ai thekson se për shqiptarët është bërë emergjencë unifikimi i kampit politik, pasi ndryshe krijohet disbalancë elektorale dhe rrezikohet e ardhmja politike e shqiptarëve.
“Duhet të largojmë partitë e vogla, të krijojmë balancë të fuqishme elektorale, të ndalim hovin nacionalist maqedon. E pastaj, herët a vonë, do të vijë koha edhe përballja me BDI-në,” përfundon Ramadani.