“Liridona ka qenë xheloze, s’e pranonte ndarjen”/ Detaje nga dëshmia që dha Naim Murseli
Katër të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt: Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj, përmes deklaratave të dhëna në polici dhe prokurori, kanë dhënë versionet e tyre për njohjen me njëri-tjetrin, planin për kryerjen e vrasjes, përfshirjen dhe veprimet e secilit, deri te premtimi për pagesën.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, Naim Murseli në deklaratën e dhënë në polici, më 29 nëntor 2023 në cilësinë e dëshmitarit, ka dhënë versionin e tij se si ka ndodhur ngjarja. Ka thënë se ishin grabitur dhe se ai me fëmijët kanë arritur të dilnin nga vetura, kurse tani e ndjera Liridona kishte mbetur në veturë.
Murseli në cilësinë e të dyshuarit: S’kam dhënë ndonjë ide dhe nuk kam ndërmarrë asnjë veprim për ta realizuar këtë vrasje
Kurse, në deklaratën e dhënë në cilësinë e të dyshuarit më 1 dhjetor 2023, në prani të mbrojtësit të tij ka theksuar se pas 10 viteve martesë, kishin filluar problemet martesore, duke thënë se Liridona ka qenë xheloze, temperamente dhe kontrolluese, e që ka pasur presion psikik nga ajo, sikurse janë telefonatat e shpeshta e kërkimi i dëshmive me foto se ku gjendet e me kë.
Naimi thuhet se deklaroi që nuk ishte më i lumtur, por që Liridona sipas tij nuk e pranonte ndarjen. Tha se një problem që kishte ndodhur mes tyre në mars 2023, vështirësoi akoma lidhjen e tyre. Pas kësaj tha se iu shtua presioni e që sipas tij ndikoi të mendonte edhe vetëvrasjen.
Sipas tij, në një bisedë me djalin e dajës së tij (Kushtrim Kokallën) ai i ka thënë se ia zgjidh këtë punë, e që fillimisht kishin menduar për inskenimin e një aksidenti, por që shoku i Kushtrimit (Granit Plava) kishte insistuar që veprën ta kryente me armë sipas mënyrës së tij.
“…unë nuk kam dhënë ndonjë ide dhe nuk kam ndërmarrë asnjë veprim për ta realizuar këtë vrasje”, citohet të ketë deklaruar i akuzuari Murseli.
Në ditën kritike, thotë se ishte takuar me Granitin në Gjakovë, rrugës iu ishte dëmtuar goma, e kur ishin ndaluar për ta rregulluar, personi që iu ndihmoi në gomë e ka pyetur Plavën se a është i interesuar për të blerë armë, e për të cilën ia kishte dhënë Naimi paratë prej 250 euro Granitit për ta blerë atë. Më pas, tha se ishte nisur në drejtim të Prishtinës bashkë me Granitin, e pasi i kishte thënë ta dërgonte në Kralan, kishin vazhduar rrugën ndaras për Prishtinë, ku sipas tij Plava e kishte ndjekur prapa me veturë tjetër deri afër shtëpisë e më pas i kishte thënë “unë tash e di çka bëj”.
Më pas, Naimi ka deklaruar se kishin vazhduar në darkë me Liridonën dhe dy fëmijët, thotë se nuk e ka vërejtur se Plava kishte qenë në atë restorant, por që ai i kishte shkruar dhe dërguar një foto. Graniti kishte thënë se doli nga lokali, e kur përfunduan darkën Naimi thotë se vazhduan për në shtëpi, e në afërsi të shtëpisë Graniti u doli me armë e i maskuar.
“… edhe pse isha në dijeni për prezencën e tij unë asnjëherë nuk kam besuar në të vërtet se Graniti do të merr veprime për vrasje, i shokuar kam ndaluar unë i kam ngritur duart lartë dhe i kam thënë bashkëshortes jepja krejt çka të kërkon, dhe në një moment unë kam hapur derën time pastaj derën e fëmijëve duke i thënë bashkëshortes të largohet nga vetura dhe në momentin që jemi larguar disa metra kam dëgjuar një krisëm por pa e parë çfarë ndodhi”, citohet të ketë deklaruar Murseli.
Më tej, thuhet se deklaroi që kishte kërkuar ndihmë tek shtëpitë afër. Tha se pronari i marketit e kishte njoftuar Policinë e se ai i kishte kërkuar të qëndronte aty me fëmijët derisa të arrijë Policia.
Murseli thotë se motivi i vrasjes ishte xhelozia dhe presioni i lartë
Sipas tij, shkoi në vendngjarje pasi arriti Policia, por që ishte në gjendje të rënduar emocionale, i shokuar e i frikësuar të tregojë të vërtetën për ngjarjen, duke e ditur të kaluarën kriminale të Plavës s’ka guxuar ta zbulojë identitetin e tij. Pas ngjarjes, thotë që nuk është parë e as dëgjuar me Plavën dhe se nuk i ka dhënë asnjë shpërblim.
“Në këto momente ndihem i lumtur që dorasi është arrestuar dhe rasti po shkon drejt zbardhjes nga ana ime jam betuar të tregoj vetëm të vërteten dhe të mos fsheh asgjë dhe dëshiroj të jem bashkëpunues me organet shtetërore që rasti të zbardhet në tërësi”, citohet më tej se deklaroi Murseli.
Ai ka thënë se nuk ka besuar se do të ndodhë ky rast dhe se ishte shprehur i penduar. Tha se motivi ishte xhelozia e presioni i lartë, duke bërë që të dalë nga vetvetja.
Kurse, tha se me Granit Plavën ishte njoftuar përmes Kushtrim Kokallës. Arma që e kishin blerë bashkë me Granitin, thotë se nuk e kishte ditur se do përdorej në rast dhe se nuk e njeh as personin që ua shiti armën. Murseli ka deklaruar se pas ngjarjes nuk ka kontaktuar dhe s’është takuar me Plavën, kurse me Kokallën ishte takuar dhe ai e ka pyetur si ndodhi rasti.
Më tej, thuhet se Murseli deklaroi se Kokallës i ka dhënë para herë pas herë, por lidhur me veprën jo. Natën kritike, tha se kishte qëndruar në hotel, e të nesërmen ishte shkuar tek familja e Liridonës për t’i marrë fëmijët. Tha se bashkë me tani të ndjerën kishin një biznes i cili më nuk është aktiv. Po ashtu, i pyetur nëse kishin sigurim shëndetësor apo jetësor, ka thënë se kanë pasur por që nuk e di nëse është ende aktiv.
Kurse, theksohet se në deklaratën e dhënë në Prokurori më 24 janar 2024 dhe 1 shkurt 2024, ka thënë se deklaratat në Polici i ka dhënë nën presion, se ka qenë fizikisht i maltretuar nga policia dhe se rastin e ka lajmëruar në Inspektorat Policor, por që këtë ankesë nuk e ka dorëzuar si provë kur iu kërkua nga Prokuroria. Gjithashtu, thuhet se deklaratat e tij të dhëna në Prokurori nuk janë në pajtim me provat e grumbulluara dhe nuk duhet t’iu falet besimi.
Tutje, thuhet se në deklaratën e dhënë në Prokurori më 30 korrik 2024, Naim Murseli ka deklaruar se nuk ka ndonjë informacion të ri për rastin. Për policat e sigurimit jetësor në Suedi, ai kishte thënë se kishte lidhur kontratë me një kompani ai për vete dhe Liridona për vete. Për tani të ndjerën tha se nuk e dinte se në çfarë shume e ka pasur kontratën e lidhur dhe nuk e di se kush është përfituesi i asaj police.
Gjithnjë sipas deklaratës së Murselit, ai ka thënë se më 2022 kur kishte lidhur Liridona atë kontratë, raportet i kishin të mira. Një rast kur deshi të bënte shkurorëzim e kishte pranuar, sipas tij, me qëllim që Liridona t’ia bënte letrat motrës, por që kur kishin paraqitur dokumentet, motra e saj ishte shkurorëzuar.
Pas autorizimit të Prokurorisë për një intervistë nga ana e Policisë në hapësirat e Shërbimit Korrektues më 18 tetor 2024, thuhet se pranoi edhe për një tentim shkurorëzimi në Suedi para rastit që e ka dëshmuar, me arsyetimin për t’iu mundësuar blerja e një shtëpie.