Llotaria Shtetërore e Maqedonisë paguan personazhe të njohur dhe aktivistë partiak
Llotaria Shtetërore e Maqedonisë u paguan nga 35.000 deri në 60.000 denarë në muaj, personave të jashtëm të angazhuar për kryerjen e punëve të caktuara. Sipas dokumenteve që redaksia e Infomaks i ka siguruar, numri i këtyre personave është pak më i vogël se njëqind dhe i kushtojnë kompanisë shtetërore mbi 4 milionë denarë çdo muaj.
Në listë shfaqen emra të disa personazheve të njohur dhe që janë të afërta me partinë në pushtet VMRO-DPMNE.
Për shembull, profesori i Fakultetit Juridik “Justiniani i Parë”, Borçe Davitkovski, këngëtarja Adelina Tahiri, regjisori dhe aktivisti i njohur i VMRO-DPMNE-së, Boris Damovski, si dhe influenceri Kristian Stankovski, i njohur si Bombakis, dhe ish-anëtari i Komisionit Juridik të VMRO-DPMNE-së dhe pjesë e krahut reformator të asaj kohe, Gligor Çatmov. Një pjesë e madhe e këtyre personave janë në moshë rreth njëzet vjeç, ndërsa një numër i konsiderueshëm prej tyre janë anëtarë dhe aktivistë të partive në pushtet.