Loleska: Dhurimi i organeve është akti më i lartë i humanizmit
Kryetarja e shoqatës “Është rrallë të jesh i rrallë”, Gordana Loleska, është përfshirë me një video-adresim në kuadër të fushatës kombëtare, e cila realizohet nën moton “Dhurimi i organeve i jep kuptimin më të lartë humanizmit”. Loleska tha se çdo ditë fillon me shpresë, por për shumë familje, çdo ditë është vetëm një tjetër pritje e gjatë dhe e pasigurt. Sipas saj, shumë pacientë me sëmundje të rralla përballen me diagnoza që me kalimin e kohës dëmtojnë organet vitale, ndërsa transplantimi i veshkës, mëlçisë ose mushkërive mbetet shpesh shpresa e tyre e vetme për jetë.
GORDANA LOLESKA, KRYETARE E SHOQATËS “ËSHTË E RRALLË TË JESH I RRALLË”
“Momenti kur dëgjon diagnozën e rrallë, për të cilën me vite nuk ka ilaç, apo ai moment kur të njoftojnë se me kalimin e kohës ajo do të çojë në dështimin e ndonjë organi vital. Shumë njerëz nuk e dinë se një pjesë e madhe e pacientëve me sëmundje të rralla, gjatë betejës së tyre, përballen pikërisht me këtë realitet. Për ta, transplantimi i veshkës, mëlçisë apo mushkërive është i vetmi shpëtim i mbetur për jetën”.
Loleska theksoi se nuk flet vetëm si aktiviste, por me gjithë qenien e saj, me gjithë ndjeshmërinë dhe forcën që ka si nënë dhe si prind, fëmija i së cilës ndodhet në listën e pritjes për transplantim organesh, ajo shtoi se kur vuan një anëtar i familjes, vuan e gjithë familja.
GORDANA LOLESKA-KRYETARE E SHOQATËS “ËSHTË E RRALLË TË JESH I RRALLË”
“Atëherë përditshmëria shndërrohet në një betejë, ku e ardhmja varet vetëm nga një telefonatë, nga një vendim. Si prind, nuk ka dhimbje më të madhe sesa të shohësh pafuqinë përballë sëmundjes, por nuk ka as forcë më të madhe se shpresa që e mban gjallë zemrën. Në shtëpinë tonë çdo sekondë është një betejë, ndërsa çdo rrahje zemre është një lutje për një mundësi për jetë të re”.
Loleska gjithashti sqaroi se dhurimi i organeve është akti më i lartë i humanizmit, një vendim që edhe në momentet më të vështira mund t’i japë jetë dhe shpresë një personi tjetër.
Nga 1 tetori 2026, qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të kenë mundësi të deklarojnë në mënyrë vullnetare nëse dëshirojnë të jenë dhurues organesh pas vdekjes, përmes modulit të ri në sistemin elektronik “Termini Im”.
Zebushe Ramadani /SHENJA/