
Lotito e konfirmon trajnerin Baroni, Konseisao drejt pankinës së Marsejës
Klaudio Lotito, president i Lacios, ka konfirmuar se Marko Baroni do të jetë trajneri i ri i skuadrës bardhekaltër nga sezoni i ardhshëm.
“Çdo gjë është zgjidhur me Veronën. Ne e donim Baronin, sepse ai është një trajner i mirë dhe mendojmë se ka profilin e duhur,” ka thënë mes tjerash presidenti i klubit të kryeqytetit Italian.
Trajneri që drejtoi Veronën në sezonin 2023/24 duhet të nënshkruajë një kontratë për dy sezone në ditët në vijim, andaj Sérhio Konseisao nuk ka shanse të kthehet në Romë.
Lotito iu përgjigj kritikave që ka sjellë ky vendim.
“Njerëzit që nuk e duan atë janë ndoshta të njëjtët njerëz që nuk do të donin Inzaghin, Piolin dhe Petkoviçin,” tha Lotito.
Në krye të Veronës, Baroni arriti të siguronte vendin e 13-të në Serinë A. Edhe pse detajet e negociatave nuk dihen, konfirmimi i Baronit përjashton mundësinë që Serhio Konseisao të drejtojë Lacion, diçka që “L’Équipe” e kishte lajmëruar në fillim të këtij muaji.
Në këtë mënyrë, ish-trajneri i Portos është i lirë të nënshkruajë me Marsejën, e cila gjithashtu është e interesuar për shërbimet e tij.