LSDM: 4 miliardë euro borxh i ri, qytetarët me xhepa bosh
Partia opozitare LSDM, ka sulmuar politikën ekonomike të Qeverisë me shifra prej, katër miliardë euro borxhi të ri në dy vjet dhe një borxh total që po i afrohet 12 miliardë eurove. Nga LSDM thonë se huamarrja e paralajmëruar prej 1.3 miliardë eurosh do ta rrisë më tej barrën mbi qytetarët dhe gjeneratat e ardhshme. Anëtarja e Bordit Ekzekutiv tëLSDM-së, Simona Cvetanovski, ka akuzuar se borxhi po rritet ndërkohë që qytetarët përballen me çmime më të larta dhe stagnim të pagave.
SIMONA CVETANOVSKI, ANËTARE E BORDIT EKZEKUTIV TË LSDM-SË
“Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore po përballet me probleme financiare dhe ka përdorur hua nga institucione të tjera shtetërore për funksionimin e saj të përditshëm. Kërkojmë që institucionet kompetente t’i hetojnë këto transaksione dhe mënyrën se si janë siguruar fondet”.
Partia opozitare kundërshton edhe interpretimin e kryeministrit Hristijan Mickoski lidhur me borxhin e Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore. Sipas tyre, huamarrjet e garantuara të ndërmarrjeve publike dhe shoqërive aksionare shtetërore duhet të përfshihen në llogaritjen e borxhit publik. Sipas të dhënave të paraqitura nga LSDM-ja, shpenzimet për interesa janë rritur nga rreth 120 milionë në 350 milionë euro. Nga partia vlerësuan se shteti po bëhet gjithnjë e më shumë i zhytur në borxhe.
Ndërkaq, Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, më herët ka deklaruar se eurobonoja prej rreth 1.3 miliardë eurosh po përgatitet për vitin 2027, kur për shlyerje do të maturohen rreth 1.5 miliardë euro detyrime të vjetra. Ndërsa LSDM-ja, mbetet në qëndrimin se huamarrja e Qeverisë gjatë periudhës dyvjeçare do të arrijë në rreth katër miliardë euro dhe se borxhi publik po i afrohet shifrës prej 12 miliardë eurosh.
Zebushe Ramadani /SHENJA/
